Zyrtari amerikanë: Krenarë që jemi partnerë me Shqipërinë, mbështetje për SPAK e BKH

Zv.ndihmëssekretari amerikan për Çështje të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit Jorgan Andrews, thotë se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur ngritjen e strukturave të reja që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si SPAK dhe Byroja e Hetimit, mbetet i palëkundur. Këto komente ai i bëri për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë. Andrews tha ndër të tjera se zbatimi i masave antikorrupsion do të forconte dhe rolin e agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të drogës, pjesë të rëndësishme të së cilës ai sheh dhe reformimin e sistemit të burgjeve

“Përfaqësoj një byro të Departamentit të Shtetit të SHBA – Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit. Jemi përgjegjës për zbatimin e ndihmës civile në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë në vendet anembanë botës. Jemi në 90 vende. Jemi krenarë që jemi partnerë me Shqipërinë dhe me policinë e sektorin e drejtësisë të Shqipërisë teksa ata ndërmarrin reforma për të përmirësuar cilësinë dhe sasinë e drejtësisë që iu ofrojnë qytetarëve të Shqipërisë”, tha Andrews i pyetur për qëllimin e vizitës në Shqipëri.

Në lidhje me Reformën në Drejtësi, Andrews theksoi se po mbështeten fort përpjekjet shqiptare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përfshi zyrën që unë përfaqësoj, si dhe partnerët tanë në Departamentin e Drejtësisë mbështesin fort përpjekjet shqiptare për të ngritur këto struktura të reja antikorrupsion. Kemi punuar fort për të ndihmuar Shqipërinë që të krijojë procesin e përzgjedhjes, për të siguruar që personat që vijnë në këto struktura të jenë kontrolluar (vetuar), dhe sillen si duhet pasi bëhen pjesë e atyre strukturave. Ideja është që pasi këto struktura të jenë themeluar dhe ngritur me personat e duhur, ata të mund të ndihmojnë institucionet shqiptare të bëhen më të forta, më transparente dhe të ofrojnë shërbime më të mira dhe drejtësi për qytetarët. Pra, përkushtimi ynë është i palëkundur. Do të vazhdojmë t’i mbështesim këto organizata. Por gjithnjë e më shumë, me kalimin e kohës, me përparimet që Shqipëria do të bëjë, do të kërkohet gjithnjë e më pak ndihmë sapo këto institucione të ngrihen dhe të fillojnë të funksionojnë mirë”, theksoi ai.

Së fundmi, Andrews u pyet për një mbështetje prej 920 mijë dollarësh amerikanë për përmirësimin e sistemit të burgjeve në Shqipëri.

“Jemi në proces hartimi të një program të lidhur me sistemin e burgjeve. Si një person që ka qenë i përfshirë në programet tona të ndihmës për sistemet e burgjeve në vende të tjera, e njoh mirë këtë lloj pune. Në përgjithësi, kur përfshihemi në punën me burgjet, kjo është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të reformuar të gjithë sistemin. Qeveria e Shqipërisë ka nivel të lartë vullneti politik të investuar në reformimin e të gjithë sistemit. Kemi vënë re në vende të tjera se nëse reformohet policia, kjo nuk mjafton nëse gjykatat dhe burgjet nuk reformohen. Nëse reformohet policia, prokurorët dhe gjykatat, por nuk ke bërë gjë me burgjet, pavarësisht nëse arreston, heton dhe dënon një anëtar të krimit të organizuar, ai person mund të shkojë në burg dhe prapë ta drejtojë sipërmarrjen kriminale nga burgu. Pra, sistemi i burgjeve është pjesë kyç e përpjekjes për reforma në sistemin e drejtësisë dhe interesi ynë është që të ndërtojmë një program që ndihmon për të siguruar që qeveria në fakt t’i kontrollojë burgjet dhe të sigurohet që të burgosurit nuk vazhdojnë të drejtojnë sipërmarrjet e tyre kriminale nga burgu”, përfundoi zyrtari i DASH.

Aktualitet

Archives