Videokonferencë e liderëve të 6 vendeve të rajonit organizuar nga Këshilli Atlantik

 Këshilli Atlantik me seli në Washington organizoi një videokonferencë me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë diskutuar lidhur me bashkëpunimin për të tejkaluar situatën e krijuar nga pandemia.

I dërguari i posaçëm amerikan për rajonin, Matthew Palmer, ritheksoi përkrahjen për proceset integruese të këtyre vendeve përfshirë edhe procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

“Ne kemi pikëpamje të njëjta për të ardhmen dhe vendet e Ballkanit Perëndimor i shohim si anëtare të BE-së, si vende që kanë bërë reforma të domosdoshme dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian punojnë në partneritet”, tha ai duke vënë theksin tek përpjekjet e Shqipërisë edhe Maqedonisë së Veriut për të bindur, siç tha, Këshillin Europian që të hapen negociatat për anëtarësim.

“Marrëveshja e 5 qershorit në Shqipëri për reformën zgjedhore pasqyron bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Palmer.

Në fjalën e tij në videokonferencën e organizuar nga Këshilli Atlantik, Kryeministri Edi Rama theksoi se “pandemia na dha një provë, natyrisht nëse kjo ishte e nevojshme, se ajo që ne po përpiqemi të bëjmë tashmë prej gjashtë vjetësh, që kur filloi Procesi i Berlinit, është pikërisht ajo për të cilën kanë nevojë brezat e ardhshëm në rajonin tonë”.

“Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të goditen nga recesioni ekonomik, përafërsisht me 8% në vitin 2020 dhe sipas këtij parashikimi duket se do të jetë më i godituri nga të gjithë rajonet e vlerësuara nga BERZH-i”, theksoi Kryeministri Rama.

“Secili prej vendeve tona është goditur në mënyra të ndryshme, disa nga shkëputja e zinxhirit të vlerës, të tjerë nga shkëputja e zinxhirit të ofertës dhe prodhimit, kurse ne, si dhe të tjerë si ne, do të goditemi nga një rënie dramatike e numrave në turizëm dhe në ekonominë e shërbimeve. Kështu, në këto kushte, unë mendoj se ne mund të kompensojmë në ato fusha ku ne individualisht mbetemi pas”, vuri në dukje ai. ata

Aktualitet

Archives