Tomini: Ekspertët vlerësuan mundësinë e marrjes së dozave të tjera nga Lindja

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini tha sot se gjatë 72 orëve në vijim do të kemi detaje mbi kontratën me distributorin e autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” për vaksinën kineze “Coronavac”.

Në një intervistë televizive, Tomini tha se “aktualisht jemi duke negociuar për vaksinën kineze. Akoma jemi në draft kontraktimi. Kur të përfundojë kontrata, do të jemi në dijeni se sa doza do të marrim. Në 72 orët në vijim, do të kemi detaje mbi kontratën për vaksinën kineze. Nuk kemi diçka të definuar përfundimisht”.

Lidhur me vaksinën ruse Sputnik tha se “janë mbi 40 vende që e kanë marrë Sputnik dhe po e administrojnë në vendet e tyre”.

Pyetjes se vaksina kineze akuzohet më shumë se sa rusja për mungesës informacioni, Tomini iu përgjigj se “secili nga shtetet i ka studimet dhe jo aq të shprehura sa i ka vaksina Pfizer. Sigurisht mbështetur edhe në studimet e vaksinës kineze efektet anësore apo efekte minimale përkundrejt formave të rënda që shfaq klinika e COVID-19 janë të pakonsiderueshme për të dy llojet e vaksinave”.

“Entet rregullatore në vendet që e kanë prodhuar dhe entet rregullatore tek vendet që janë distributore të ndërmjetëm mes Kinës dhe vende të tjera kanë dhënë miratimin për certifikimin e vaksinave në vendet e tyre”, – tha Tomini.

Më tej Tomini u shpreh se “fluksi i shtuar i infektimeve dhe mos marrja e sasisë së pretenduar nga vaksinat perëndimore hapi mundësitë për kanalet e tjera”.

“Ndryshimi nuk është 180 gradë, se ishim fokusuar tek vaksinat e BE, siç ishin Pfizer dhe Moderna. Përpjekjet ishin që të vinin sa më shpejt. Por numri i rasteve filloi të ngrihej vrullshëm. Në shkurt patëm një rritje të kurbës dhe Komiteti i Ekspertëve gjykoi  mundësinë për të hyrë edhe vaksina të tjera në vend. U bë një gjykim i mirë dhe prandaj vendosën të merreshin”, – tha Tomini.

Zv/ministrja Tomini u shpreh se “më 27 dhjetor filloi dhe vaksinimi në botë, ne ishim në tratativa për marrjen e Pfizer. Në fillim nuk kishim mendje për vaksinat nga Lindja, pasi kishim synim 500 mijë vaksina nga Pfizer. Por kurrë nuk është hequr mundësia për marrjen e vaksinave të tjera”.

“Duke filluar që nga protokollet e vlerësimit, evoluimi përkundrejt një vaksinimi masiv të orienton drejt kanaleve të tjera të komunikimit. Për të ulur intensitetin e madh të infektimit, kërkuam dhe kanale të tjera,” – tha Tomini.

Ata

Aktualitet

Archives