“AstraZeneca, vaksinë e sigurtë”

Përfaqësuesi i ri i OBSH në Shqipëri, Gerald Rockenschaub shpjegoi sot në një intervistë televizive se AstraZeneca është një vakinë e sigurt, benefitet e së cilës janë më të mëdha se rreziqet që mund të paraqesë. Ai rekomandoi përdorimin e vaksinave që janë të regjistruara për përdorim emergjent nga OBSH.

“Ajo që mund të themi si OBSH është që ne rekomandojmë vaksinat që janë të regjistruara për përdorim emergjent nga OBSH-ja dhe për momentin kemi tre vaksina që janë të regjistruara që është Pfizer, Astrazenca dhe Johnson & Johnson ndërkohë që ka disa vaksina të tjera që janë akoma në procesin e vlerësimit për t’u regjistruar”, tha përfaqësuesi i ri i OBSH në Shqipëri.

Rockenschaub shpjegoi se AstraZeneca është një vaksinë e sigurt, ndërsa benefitet e saj i tejkalojnë rreziqet që mund të paraqesë.

“Siç e kemi parë EMA (Agjensia Europiane e Barnave) mori një vendin për AstraZeneca ku tha që është e sigurt dhe efektive. Ajo që mund të themi me siguri të plotë është që përfitimet që vijnë nga përdorimi i AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet që mund të paraqesë vaksinimi me AstraZeneca”, tha ai.

Kreu i ri i OBSH në Shqipëri tha se plani ambicioz i qeverisë shqiptare për të përfunduar procesin e vaksinimit në 14 muaj, varet dhe nga disponueshmëria globale e vaksinës.

“Mesa kemi parë qeveria ka një plan goxha të përpunuar mirë në nivele të hollësishme edhe për të trajtuar të gjitha grupet e ndryshme të popullatës që duhet të vaksinohen. Arritja e objektivit për 14 muaj varet edhe nga qarkullimi i sasisë globale të vaksinave sepse kemi parë që ka një lloj mungesash ose kapacitetesh jo të plota për vaksinat”, tha ai.

Rockenschaub tregon se rastet në Shqipëri kanë qenë në ulje, por është gjithmonë mirë që të ketë një rishikim të masave.

“Çdo herë është mirë që nëse ke një proces që është duke u zhvilluar, është mirë që ta rishikosh procesin dhe të marrësh masat më të mira të mundshme. Rastet në Shqipëri kanë qenë në ulje, situata ka qenë në përmirësim por siç e keni vënë re ka një variant të ri, ka raste të reja në rritje në vendet që na rrethojnë, kështu që është gjithmonë mirë që të rishikohen masat dhe të kemi mundësi që ta trajtojmë sa më mirë të gjithë situatën”, tha Rockenschaub.

Sipas tij,  fundi i pandemisë ende nuk dihet, por jo gjithçka mbetet në dorë të vaksinës.

“Duhet të jemi të qartë që patjetër që plani i vaksinimit është shumë mirë që ka filluar, por duhet të jemi të qartë që kjo nuk është masa e vetme që na shërben për të luftuar pandeminë. Është një grup veprimesh që duhet t’i bëjmë të gjitha, përshirë masat për kontrollin e sigurisë së shëndetit publik, siç janë mbajtja e maskës, distancimi social, qëndrimi në mjedise të ajrosura mirë, shmangia e grumbullimeve. Kohët e fundit ka dhe një përpjekje për të vënë më shumë në përdorim mjete të reja testuese që ndihmojnë për ta menaxhuar sa më mirë pandeminë. Pra zbatimi i të gjitha këtyre masave së bashku është një përgjigje për pandeminë, por se kur do të mbarojë nuk ka një përgjigje”, tha ai.

Gerald Rockenschaub, që prej datës 22 shkurt 2021 është përfaqësuesi i ri i OBSH në Shqipëri. ata

Aktualitet

Archives