“Tubimet shkak i përhapjes së infeksionit”

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj u shpreh sot në një intervistë televizive, se sjelljet e partive politike në tubime pa asnjë përgjegjësi do të ndikojë në rritjen e infektimeve në popullatë.

Brataj u shpreh kritik se partitë politike po shkelin rregullat antikovid, duke i cilësuar tubimet si një nga shkaqet kryesore të përhapjes së infeksionit me shpejtësi më të madhe.

“Kjo është shumë e rrezikshme në këtë moment, kur ne e dimë prezencën e mutacioneve të reja, atij anglez në Shqipëri. Njerëzit duhet ta marrin parasysh se virusi nuk kursen askënd, as vetë politikanët. Nuk mund të heqësh përgjegjësinë e një organizimi, sepse dihet se kur një parti bën një miting nuk mund të jetë indiferente dhe dihet shkaku. Është forca politike që e organizon atë dhe këtu nuk përjashtohet asnjë. Të gjitha partitë politike i kanë shkelur rregullat”, tha ai.

Brataj u bëri apel edhe bizneseve të tregohen të përgjegjshëm dhe të zbatojnë masat, pasi në të kundërt gjendja e pandemisë Covid-19 rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

“Nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve, të gjitha bizneset, transporti publik, po nuk u ndërgjegjësuan është e kotë. Ne nuk mund të rrimë roje në çdo derë lokali. Qytetari duhet të ndërgjegjësohet, sepse po humbasin jetë njerëzish dhe po prek nga të gjitha fashat dhe të gjitha moshat. Kjo sëmundje ka marrë përmasa aq të mëdha dhe nuk është çudi se do ta kemi herë pas here”, theksoi Brataj.

Lidhur me dyshimet mbi vaksinën “AstraZeneca”, Brataj tha se kjo është një luftë për konkurrencë dhe deri tani u shpreh se nuk ka evidenca se vaksina është e rrezikshme. Ai apeloi qytetarët të pranojnë injektimin e dozës së kësaj vaksine.

“Nuk ka numër trombozash më të madhe se ‘Pfizer’, ‘BioNTech’ apo ‘Moderna’. Nuk ka një numër më të madh. Vetëm në Angli janë 11 milionë vaksina ‘AstraZeneca’ të kryera. Unë do t’i këshilloja ta bënin pa pikën e hezitimit, për arsye se rreziku është shumë i paktë. Në vend nuk kemi ndonjë rast”, u shpreh mjeku.

Ata

Aktualitet

Archives