Rama prezanton ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë

 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar sot ndryshimet në kabinetin qeveritar, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në asamblenë e partisë në pushtet, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së, tha se ministrat që do largohen sot kanë një rol tejet pozitiv në gjithçka që kanë bërë dhe në transformimet që kanë sjellë.

Kryeministri Rama prezantoi zëvendëskryeministrin e ri, Erion Braçe, post që e mbante Senida Mesi. Genti Caka është propozuar si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që e mbante Ditmir Bushati.

Në postin e ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit është propozuar Besa Shahini e cila zëvendëson Lindita Nikollën. Belinda Balluku është propozuar në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vend të Damian Gjiknurin.

Anila Denaj në postin e ministres së Financave dhe të Ekonomisë në vend të Arben Ahmetajt. Në postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është propozuar Bledi Çuçi, në vend të Niko Peleshit.

Në postin e ministres së Kulturës Elva Margariti në vend të Mirela Kumbaro Furxhi, ndërsa Eduard Shalsi si ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, post të cilin e mbante Sonila Qato. Gjithashtu Rama ka propozuar edhe një ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin e cila do të jetë Elisa Spiropali.

“Do të ishte e pavërtetë nëse do të thuhej që sot ndryshimi vjen si rezultat i dështimeve. Jo, ndryshimi vjen si rezultat i nevojës dhe domosdoshmërisë për të zgjeruar kapacitetin tonë në qendër dhe në terren. Kapacitetin qeverisës dhe komunikues në çdo komunitet. Të gjithë ata që kanë 5 vjet në kabinet do t’ja lënë vendin të tjerëve dhe dua t’i falënderoj posaçërisht”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Aktualitet

Archives