Presidenti Meta: Opozita gaboi me dorëzimin e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje

 “Opozita ka bërë veprime të mëparshme të gabuara siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhje vendore. Rruga që opozita ndoqi nuk ishte një rrugë që i shërbeu vendit”, tha sot Presidenti Meta në një intervistë televizive.

Duke folur për 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Meta tha se “21 janari është një datë shumë e rëndësishme, sepse është dita e Kongresit të Lushnjës. Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet”.

Duke folur për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevard, Meta tha se duhet hequr përgjithmonë dorë nga dhuna.

“Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike”-tha ai.

Për sa i përket procedurës së shkarkimit, Meta tha se “është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor. Por për mua nuk përbën një shqetësim. E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022. Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë”,.

Në vijim Meta shtoi se “Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra! Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar.Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder”.

Në lidhje me dialogun e palëve për reformën zgjedhore, Meta tha se “jemi në kuadër të përpjekje të palëve për t’u shfajësuar përpara dështimeve të mundshme përsëri në të ardhmen në raport me integrimin evropian, se se një reflektim për të marrë përgjegjësi dhe për të vendosur një dialog të besueshëm dhe të mirë strukturuar në interes të heshtjeve më të mëdha që ka vendi dhe për të cilat të dy palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh”.

“Megjithatë është një hap pozitiv sepse përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi me konsensus është nga rekomandimet e Bundestagut për hapjen mundshme e negociatave. Le të shpresojmë të mos ketë ndonjë surprizë rrugës, por sidoqoftë edhe sikur ky jap të jetë pozitiv është fare pak dhe tepër vonë dhe kërkohet një tryezë tjetër shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar ato detyrime që tashmë janë të qarta në rezolutën e Bundestagut. Reforma nuk do të zgjidh ndonjë gjë të jashtëzakonshëm, por mund të jetë mënyra me e thjeshtë”, tha ai. ATA

Aktualitet

Archives