Të rinjtë njihen me të kaluarën komuniste, “Kujtojmë për të mos harruar”

Disa të rinj të shkollës “Harry Fultz” kanë zhvilluar ditën e hënë një bashkëbisedim me Uran Kostreci, poet e shkrimtar, i dënuar me 20 vjet burg dhe 5 vite internim gjatë regjimit komunist.

Ky bashkëbisedim vjen në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës, “Edukimi përmes Kulturës”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur se, “Edukimi përmes Kulturës, vijon me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, nën titullin “Kujtojmë për të mos harruar”.

Uran Kostreci Lindi më 1938, në Sarandë.  Ai u arrestuar më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit”, dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg.

Kostreci kreu gjithsej 20 vjet në burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave” 2013./ata.gov.al/

Aktualitet

Archives