Presidenti Meta, mesazh qytetarëve për Vitin e Ri 2021

Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për një vit sa më të mbarë, teksa kujtoi se viti që lamë pas, na përballi me një nga sfidat më të vështira për mbarë botën.

“Të dashur bashkëkombës, viti që lamë pas, na përballi me një nga sfidat më të vështira për mbarë botën. Pandemia COVID-19 tronditi jetët tona në shumë aspekte”,- thekson Meta.

“Shumë prej nesh humbën më të dashurit, pa mundur edhe t’u japin lamtumirën e fundit; të tjerë ia dolën me sakrifica të jashtëzakonshme. Mirënjohje të pakufishme për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata, që gjenden edhe sot, në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie. Në veçanti, ky është çasti për të bërë një homazh për mantelbardhët tanë të paharruar, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës”,- shton Meta.

“Përkushtimi, humanizmi dhe kujtimi i tyre le të na frymëzojë për më shumë solidaritet, bashkëpunim, përulësi, dhembshuri dhe dashuri për njëri-tjetrin. Le të bashkohemi dhe të punojmë më shumë, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë më shumë nevojë”,- vijon Meta.

“Të përpiqemi me të gjitha forcat të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin. Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen dhe Atdheun e kanë mbajtur gjallë kombin tonë dhe do t’i japin Shqipërisë sonë të dashur edhe të ardhmen e ndritur europiane që meriton. Të dashur shqiptarë kudo që ndodheni, Ju uroj nga zemra, një Vit të Ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të begatë. Gëzuar!”,- përfundon mesazhin e tij, presidenti Meta.

Aktualitet

Archives