Presidenti Meta gjatë manifestimit apel për “puçistët vendas dhe ndërkombëtarët mafiozë”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në fjalën e tij në manifestimin e thirrur sot në mbrojtjes të Kushtetutës, tha se “Presidenti i popullit kuqezi, ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuq e zi dhe para popullit kuq e zi, para popullit të shqiponjave”.

Këtë, theksoi Meta, “ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj”, iu drejtua ai qytetarëve pjesëmarrës në manifestim.

“Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum më 22 nëntor ‘98 thotë sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta, por si Presidenti i juaj, si i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien, ngrihet populli dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve”, theksoi Meta.

“Jemi këtu, sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dytë botë antagoniste. Një botë e vogël, e errët, e oligarkëve, e koncesionet e frikshme të PPP. Jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për km/2, i kemi më të shtrenjtat. Unë si Presidenti i kam rrëzuar publikisht këto dekrete, të arsyetuara mbi Kushtetutë. Këto dekrete për koncesione kanë qëllim vetëm grabitjen e Shqipërisë. Ata tani kërkojnë dhe rrëmbimin në mënyrë mafioze të Gjykatës Kushtetuese, që krimet e tyre kushtetuese të mbeten pa gjykuar, dhe që oligarkët të fitojnë sa më shumë. Jemi këtu, se asnjë nga ne nuk mund t’i qëndrojë anash grushtit të shtetit. Jemi këtu kundër grushtit të shtetit”, shtoi Meta.

Meta shpjegoi edhe se pse presidenti thirri popullin. “Presidenti thirri popullin sepse i shteroi të gjitha përpjekjet institucionale e demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe grushtin e shtetit, sepse pasuria kombëtare që po vidhet përditë është ajo çka Zoti u ka dhënë të gjithë shqiptarëve. Sepse sistemi drejtësisë është kapur për fyti nga sekti antishtet. Sistemi i drejtësisë godet të varfrit dhe të ndershmit, sepse oligarkët kontrollojnë parlamentin dhe bëjnë krime të rënda kushtetuese, si ai që denoncova dje. Kjo mazhorancë në mënyrë mafioze rrëzoi brenda natës në terr të plotë Ligjin e Dividentit. A mundet që një investitor i huaj të besojë në ligjet e këtij vendi? A munden bizneset e vogla të besojnë, që po falimentojnë çdo ditë? Ndërkohë këto gropa financiare i paguani ju. Ky nuk është shtet i së drejtës dhe i qytetarëve”, tha Meta.

Meta foli edhe për djegien e mandateve nga opozita. “Një vit më parë ata provokuan opozitën për ta larguar nga Parlamenti, vrapuan të zëvendësonin deputetët në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor, me ligjin, Kushtetutën, vetëm që të eliminohej opozita në Kuvend”, tha Meta.

ATA

Aktualitet

Archives