Ambasadorja e SHBA-së: “Fajtori nuk duhet të shpëtojë”

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se “Shqipëria duhet të ecë përpara në sundimin e ligjit dhe kjo nuk është zgjedhje, por kërkesë”, ndërsa theksoi se “duhet t’i jepet fund korrupsionit, pasi kjo po e ndalon Shqipërinë të jetë magnet për investimet”.

E pranishme në konferencën e nivelit të lartë “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në dritën e Reformës në Drejtësi”, ambasadorja Kim tha se “2020-a është një vit i madh për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”.

“Jemi të emocionuar dhe është nder për ne që qëndrojmë pranë Shqipërisë. Reformat që po bën Shqipëria janë shumë të rëndësishme, por edhe shumë të vështira dhe në kohë të tilla është nevojë për miqtë që të jenë më prezentë”, tha ajo.

Ambasadorja e SHBA-së u shpreh se “Reforma në Drejtësi ka sjellë ndryshime dhe është koha të fitohet besimi i publikut dhe duhet të sigurojmë suksesin”.

“Muajt e kaluar kanë treguar se ka disa individë që kanë qenë gati t’i bashkohen punës në funksion të sistemit të drejtësisë. Jemi mirënjohës për dedikimin dhe kurajon që keni marrë për këto detyra. Zyra e prokurorisë, do të përmend SPAK-un, që do të ketë një rol të rëndësishëm për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Duhet t’i jepet fund korrupsionit, kjo po e ndalon Shqipërinë të jetë aq e mirë sa mund të jetë, apo një magnet për investime, ashtu sikurse duhet të jetë”, tha Kim.

Ambasadorja e SHBA-së u shpreh se “në 2019-n zyra e Prokurorit të Përgjithshëm punësoi një numër koordinatorësh dhe fakti që shumë individë kanë pranuar që të bëhen pjesë e kësaj është vërtetim i Reformës në Drejtësi”.

“Kjo do të sjellë ndryshim në Shqipëri. Dua të vendos në dukje edhe rëndësinë e koordinimit, është i rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Drejtësia duhet të çohet përpara nga kjo skuadër, që është e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara për të luftuar krimin. Dua t’ju them diçka, prokurori është shërbëtor i ligjit, fajtori nuk duhet të shpëtojë dhe i pafajshmi nuk duhet të vuajë. Përdorni çdo metodë të ligjshme për të sjellë drejtësi. Duhet të përmbushen nevojat e popullit që i shërbeni, mos i lejoni fajtorët të shpëtojnë”, tha Kim. ATA

Aktualitet

Archives