Përkujtohen viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit, Peleshi: Lufta nuk ka mbaruar, terrorizmi mbetet armik i pabesë

Gati 3000 viktimat e shkaktuara nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit u përkujtuan në një ceremoni në Ambasadën e SHBA në Tiranë.

Në këtë ceremoni solemne morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj dhe zëvendës ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.

Në emër të qeverisë shqiptare, ministri Peleshi kujtoi viktimat e pafajshme të atyre sulmeve dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aleatëve për të luftuar terrorizmin.

Ministri Peleshi përmendi me krenari kontributin e Shqipërisë në këtë luftë me në krye SHBA dhe falenderoi gratë dhe burrat që shërbyen me kurajo në Afganistan dhe Irak. “Në këto 20 vite, së bashku, të udhehequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marshuam në zemër të terrorit për të mbrojtur vlerat thelbësore të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë besoj se edhe Shqipëria i mbajti mbi shpatulla me dinjitet këto 20 vite lufte të përbashkët.

Dua të shpreh mirënjohje dhe nderim të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarakë profesionistë, që nderuan vendin e tyre në misionet më të rrezikshme në Irak dhe Afganistan.”

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Afganistan, ministri Peleshi theksoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit mes aleatëve për të fituar një luftë që ende s’ka përfunduar dhe siguroi SHBA se Shqipëria do të jetë krah aleatëve për çdo vendim që do të merret për të parandaluar sulme të tjera të tmerrshme. “Lufta jonë e përbashkët ende nuk ka mbaruar! Do të donim që me ikjen tonë të linim pas një Afganistan të qetë e demokratik, ku jeta, liria dhe dinjiteti i popullsisë civile të mbrohej dhe garantohej. Terrorizmi mbetet një armik i egër dhe i pabesë. Detyra jonë është të mbetemi të bashkuar, të ndajmë informacionin, të ndërveprojmë në çdo qelizë për të shmangur rreziqet që vijnë nga befasia. Ne mirëpritëm dhe mirëpresim me bujari këdo që na kërkon ndihmë dhe strehë. Civilët e pafajshëm të Afganistanit janë në besën tonë, sa kohë që atyre u duhet mbrojtje. Siguroj SHBA dhe vendet e tjera aleate se, në çdo kohë, në çdo vendim që merret për të garantuar jetën dhe lirinë e qytetarëve tanë, ne do të jemi gati e përkrah tyre për të parandaluar një tjetër 11 shtator.”- u shpreh ministri Peleshi.

Nê fjalën e tij, zëvendësambasadori i SHBA Demian Smith veç viktimave amerikanë, kujtoi dhe ata me origjinë nga Shqipëria.

“Sot ne kujtojmë atë ditë të tmerrshme të 20 viteve më parë. Kujtojmë aktet mizore të vrasjeve dhe terrorizmit mizor në Qytetin e Nju Jorkut, në Uashington DC dhe mbi qiellin e Pensilvanisë. Ne kujtojmë frikën, zemërimin, tmerrin tonë. Ne kujtojmë viktimat. 2,977 burra, gra dhe fëmijë të vrarë, më shumë se 6,000 të plagosur. Familje të shkatërruara përjetë dhe të ardhme të humbura. Të gjithë ne ishim viktimat. 90 vende humbën qytetarët e tyre atë ditë. Ne kujtojmë Mon Gjonbalaj, Roko Camaj, dhe Simon Dedvukaj, tre viktimat që e quanin Shqipërinë atdheun e tyre. Ne kujtojmë miqtë tanë, të afërmit tanë, bashkëpunëtorët tanë që humbën dhe që vuajtën nga ngjarjet e asaj dite. Kujtojmë ata, jeta e të cilëve u ndryshua përgjithmonë”, u shpreh Smith.

Ai tha se kujtojmë edhe heronjtë. ”Ne kujtojmë dhënësit e ndihmës së parë dhe personelin e urgjencës që u turrën drejt Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit ndërsa digjeshin, duke përkuar në më të shumtën e herës me aktin e tyre të fundit heroik. Kujtojmë bashkëqytetarët që ndihmuan njëri -tjetrin. Duke mbartuar ata që nuk mund të ecnin drejt sigurisë. Duke hapur makinat dhe shtëpitë e tyre për të huajt që kishin nevojë për ndihmë. Ne kujtojmë rradhët e dhuruesve të gjakut dhe të vullnetarëve që bënë gjithçka mundën për të ndihmuar. Ne kujtojmë pasagjerët e Fluturimit 93 që kapën çastin për të mbrojtur të tjerët, edhe nëse kjo nënkuptonte humbjen e jetës për ta. Ne kujtojmë aleatët dhe miqtë tanë në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, që qëndruan me ne kundër terrorit dhe së keqes. Ne kujtojmë aleatët tanë të NATO -s, anëtare krenare e të cilës është tani Shqipëria, duke kërkuar zbatimin e Traktatit të Uashingtonit, për ne”, theksoi zv.ambasadori..

Gjithashtu, shtoi ai, ne kujtojmë ata që luftuan dhe shërbyen në Afganistan, duke punuar për vënien e drejtësisë për aktet e terrorit të 11 shtatorit dhe për premtimin e një të ardhme më të mirë për afganët.

“Kujtojmë ushtarët, marinarët, pilotët, marinsat, diplomatët, punonjësit e ndihmës dhe qytetarë të tjerë që iu përgjigjën thirrjes së detyrës dhe shumë të tjerë që dhanë jetën në shërbim të asaj kauze. Amerikanët dhe shqiptarët shërbyen në Afganistan krah për krah, një trashëgimi tjetër e aleancës sonë të përbashkët. Ne kujtojmë shumë anëtarë të këtij komuniteti, të së shkuarës dhe të tashmes, të cilët dolën vullnetarë për të shërbyer në Afghanistan, Irak dhe vende të tjera të rrezikshme. Faleminderit për shërbimin dhe sakrificën tuaj. Ne e mbajmë mend dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, përfundoi Smith.

Në sulmet e 11 Shtatorit të vitit 2001 në SHBA mbetën te vdekur 2977 qytetarë të pafajshëm dhe u plagosën më shumë se 6000 të tjerë. ata

Aktualitet

Archives