Opozita plan për bllokimin e 2000 qendrave të votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përballet javën e ardhshme me një vështirësi tjetër për zgjedhjet e 30 qershorit. 27 bashkitë e opozitës kanë vendosur të mos i japin ambiente për rreth 2 mijë qendra votimi, duke e vendosur KQZ-në në nevojë urgjente që të gjejë vende të tjera ku mund të shkojnë qytetarët të votojnë.

Protesta paqësore e opozitës mbrëmjen e së shtunës nuk shënon tërheqjen e saj nga vendimi për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.

Në mbledhjen e forumeve drejtuese opozitare, pas protestës, është vendosur që 27 bashkitë e drejtuara nga PD e LSI, të tërhiqen ambientet e parashikuara për të shërbyer si qendra votimi.

Në këto bashki opozitare, janë vendosur më shumë se 2 mijë qendra votimi, dhe mos dhënia e këtyre ambienteve për tu përdorur për votime të dielën, e vendos KQZ-në në vështirësi, për të gjetur hapësira të tjera, qoftë edhe private, për të shërbyer si qendra votimi.

Ndryshe nga ambientet e KZAZ-ve që janë marrë ndërkohë në përdorim nga KQZ dhe policia i ofron mbrojtje Komisionit, në rastin e qendrave të votimit, KQZ nuk i ka marrë ende në dorëzim, ndaj ndërhyrja e policisë duket jo ndihmuese.

Pritet që 27 bashkitë opozitare t’i drejtohen të hënën me shkrim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për ta njohur me vendimin e tyre për të mos ju dhënë asnjë ambient për zgjedhjet, duke njohur dekretin presidencial që anuloi 30 qershorin. abcnews.al

Aktualitet

Archives