Opozita mbyll protestën. Basha: Mosbindja civile do shtrihet në të gjithë vendin

“Shqiptarët nuk njohin më as Kuvendin dhe as Policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga Jugu në Veri, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbarimit të protestës së opozitës para Kuvendit.

Në fjalën e tij, Basha duke iu drejtuar pjesëmarrësve në protestë, tha se ju, njerëz që keni vendosur të mos e ulni kokën dhe të pranoni fatin e skllavit që vidhet, poshtërohet dhe dhunohet, fatin që Edi Rama dhe eskorta e tij kërkon për të gjithë shqiptarët, por ne jemi ngritur për të mos u ulur më deri në fitoren totale të lirisë dhe demokracisë.

“Ju falënderoj nga zemra që qindra-mijëra qytetarë u mblodhën në pak orë për ti treguar mbarë botës se ky vend ka zot dhe zoti janë qytetarët e Shqipërisë. Sot, Edi Rama përdori dhunën e verbër ndaj qytetarëve që protestonin në paqe për të marrë sendin e vjedhur nga banda kriminale e Edi Ramës, me Vangjush Dakon dhe Avdylajt…”, tha ai.

Më tej, Basha akuzoi Policinë për dhunë ndaj protestuesve sot para Kuvendit.

“Sot nuk kemi më Kuvend, nuk kemi qeveri dhe për fat të keq nuk kemi polici, kemi vetëm një bandë hajdutësh e kriminelësh që keqpërdorën institucionin që ka për detyrë të zbatojë ligjin. Shkeli ligjin, siç e ka shkelur gjithë këto kohë, pasi kriminelët nuk arrestohen, por bëhen deputetë e kryetarë bashkish, ndërsa qytetarët që protestojnë goditen nga kjo bandë”, – tha Basha.

Basha u dërgon mesazh shqiptarëve duke ju kërkuar të ngrihen për liri, duke deklaruar mosbindje civile.

“Sonte le t’i çojmë këtë mesazh çdo shqiptari se ne nuk e njohim më jo vetëm Kuvendin e Krimit, por as policinë e krimit dhe mosbindja civile do shtrihet nga Jugu në Veri dhe do ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo bandë. Çdokush me uniformë, ose jo, me syza analisti apo kostum oligarku që është në krah të oligarkut, është tradhtar i popullit të vet dhe do të trajtohet si tradhtar nga qytetarët shqiptarë. Të bashkuar si asnjë demokrat e socialit, të krishterë e mysliman, gegë e toskë sot vazhdon rruga jonë drejt destinacionit hyjnor final, demokracisë europiane, Shqipërisë si gjithë Europa”, theksoi Basha.

Mbyllet protesta e opozitës

Me mbylljen e seancës së Kuvendit, ju dha fund dhe protestës së opozitës, ku qytetarët u shpërndanë paqësisht. Protesta zgjati rreth dy orë, ku nuk munguan thirrjet kundër Qeverisë, Kuvendit, madje dhe përdorimi i mjeteve të forta dhe materialeve të tjera ndezëse si kapsolle, shashka dhe tymuese.

Po ashtu, gjatë protestës pati dhe shtyrje me forcat e Policisë dhe pati përpjekje për të hyrë në sallën e Kuvendit, por u neutralizuar nga policia dhe përfundoi pa incidente të rënda. ata

Aktualitet

Archives