Kërkesat në “shqiperiaqeduam.al”, Balluku: Shtyhet me 10 muaj vendimi për zhdoganimin e automjeteve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se, vendimi për ndalimin e makinave që i përkasin prodhimit para vitit 2009 është shtyrë deri më 31 dhjetor të vitit 2019.

Në një deklaratë për shtyp, Balluku bëri të ditur vendimin e marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete”.

Kërkesat për këto ndryshime, tha ajo, kanë ardhur fillimisht nga qytetarët përmes platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Ndërkohë, që dikasteri i Infrastrukturës dhe Energjisë organizoi një dëgjesë publike, me përfaqësues të grupeve të interesit.

Balluku theksoi se “ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha pretendimet e grupeve të interesit, duke vlerësuar dhe interesin primar për mbrojtjen e mjedisit nga shkarkimet e gazrave në ajër. Po ashtu janë konsultuar praktikat më të mira europiane, që janë aktualisht në fuqi, për të bërë të mundur gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, e cila nga njëra anë do të siguronte kushtet e duhura për mbrojtjen e mjedisit dhe nga ana tjetër nuk do të cenonte aktivitetin ekonomik në këtë fushë”.

Sipas saj, ndryshimet e miratuara sot në mbledhjen e Qeverisë në VKM 633 konsistojnë në shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të kësaj vendimmarrje.

“Nga data 28 shkurt 2019 që ishte në VKM 633, afati shkon në datën 31 dhjetor 2019. Zhdoganimin e automjeteve që kanë hyrë në Shqipëri pas hyrjes në fuqi të VKM 633”, – sqaroi ministrja.

“Me ndryshimin e bërë sot parashikohet që do të lejohet zhdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018. Standardizimin sipas parametrave matës për emetimin e gazrave me standardet e BE-së. Automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6”, – tha ajo.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi “punën konsistente dhe serioze që ka bërë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe bashkëpunimin shumë të mirë që kemi pasur në trajtimin e të gjithë problematikave që kërkojë bashkërendim institucional”, – theksoi Balluku. ata

Aktualitet

Archives