Opozita e bashkuar: Protesta masive në të gjithë vendin

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kryetarja e LSI, kanë deklaruar se brenda kësaj jave nis mosbindja civile dhe protesta masive në të gjithë vendin.

Pas takimit të opozitës së bashkuar në selinë e PD, Basha dhe Kryemadhi iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë taksë dhe të bashkohen në protestë, që sipas tyre, do të jetë me të gjitha format.

“Hapësira e vetme për ti qëndruar në krah qytetarëve është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë, në krah të qytetarëve me mosbindjen qytetare. Me refuzimin jo vetëm të takës së Rrugës së Kombit, por çdo takse tjetër që ka rritur Rama dhe me të gjitha hapat format, dhe mënyrat e mosbindjes qytetare si forma më e lartë e veprimit politik dhe qytetar kundër një klike. Ne këtë nuk do ta pranojmë”, tha Basha.

“Ndaj ky është një vendim unanim i opozitës e cila nis që sonte organizimin për të bërë realitet mosbindjen qytetare, duke nisur nga pagesa te taksave të rritura. Ne do të ndërthurim të gjitha format e nevojshme të aktivitetit opozitar ashtu siç e gjykojmë të përshtatshme për të arritur qëllimin. Të gjitha format dhe mënyra”, vijoi kreu i PD.

Ai tha se opozita do të jetë në ballë të çdo organizimi për ta bërë mosbindjen qytetare formën e parezistueshme dhe do të rrëzojë këtë bandë në pushtet dhe do ti japë mundësi shqiptarëve për të zgjedhur një qeveri të shumicës, por tani për tani vëmendja jonë është të jemi në krah të njerëzve.

“Ju bëj thirrje që mos ndaloni dhe bëhuni misionar të atyre qytetarëve, të atyre 23 të burgosurve që janë sot heronjtë e Shqipërisë dhe mësim për opozitën. Dhe i falenderoj me zemër në emër të të gjithë grave dhe nënave shqiptare që do të jenë atje nesër në dyert e gjykatës në daç në Kukës, në Daç në Tiranë”, apeloi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Kryemadhi: Mbështetje protestës së qytetarëve

Më herët, Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu mbështetje ndaj protestës së qytetarëve të Kukësit kundër vendosjes së tarifës së mirëmbajtjes në “Rrugën e Kombit”.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një deklarate për mediat, në përfundim të mbledhjes së grupit kuvendor të LSI, u shpreh se forca politike që ajo drejton mbështet të gjitha format e protestës së qytetarëve. Sipas saj, opozita do të kërkojë dhe përjashtimin e kryeministrit Rama nga Parlamenti.

Sot LSI është me qytetarët e Kukësit dhe mbështet të gjithë qytetarët e Shqipërisë që janë kundër zhvatjes së Ramës ndaj shqiptarëve. Fjala e tij përpara shqiptarëve ishte fyerje jo vetëm për banorët e Kukësit, por dhe një shprehje e qartë e anti-kombëtarizimit, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës si klientë të oligarkëve të tij”.

“Ne, – vijoi Kryemadhi, – do kërkojmë përjashtimin e kryeministrit Rama nga Parlamenti”.

“I bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të jetë e kujdesshme. Prokuroria të zbatojë ligjin e të mos ndikohet nga presioni i kryeministrit, duke mos marrë në mbrojtje dhunuesit që Rama nisi në Kukës. Kryeprokurorja të mos keqpërdoret politikisht. Opozita e bashkuar po ndjek situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm dhe po monitoron gjendjen e të ndaluarve. Rama duhet t’i kishte mbushur qelitë me trafikantët e drogës, jo me qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre të mohuara dhe ne si LSI mbështesim këtë të drejtë…”, tha Kryemadhi. ata

Aktualitet

Archives