Tiranë, protestë për të ndaluarit në Kukës

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe familjarë të personave të ndaluar që dyshohen se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur dje kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, kanë protestuar para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, raporton Anaodlu Agency (AA).

Protestuesit kanë kërkuar lirimin e të ndalurave, ku disa prej tyre janë dërguar në Drejtorinë e Policisë Tiranë pasi u ndaluan nga Policia e Kukësit.

Qytetarët kanë insistuar që të lirohen personat e ndaluar, ndërkohë që protesta për lirimin e tyre janë mbajtur edhe në Kukës.

Për personat e ndaluar, ka reaguar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë, ku në një njoftim thekson se asnjëri prej të ndaluarve nuk ka pretenduar të jetë ushtruar dhunë.

Kujtojmë se sot Policia e Kukësit ka ndaluar 23 persona, të cilat dyshohet se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur dje pranë Tunelit të Kalimashit kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”.

Gjatë protestës mbetën të plagosur 13 punonjës të policisë dhe disa qytetarë, gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa u është vënë zjarri objekteve të sporteleve ku është planifikuar të bëhet pagesa për kalimin e automjeteve, duke i dëmtuar të njëjtat.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë njoftoi disa ditë më parë se pas testimit të sistemit për tarifat e kalimit të automjeteve do të përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.

Për motorët është caktuar tarifa prej 2.5 euro dhe për veturat 5 euro, ndërkohë kjo kundërshtohet nga banorët e Kukësit, por edhe nga shoqatat e biznesit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Aktualitet

Archives