Mamografi dhe papteste falas nga mjekë turq dhe shqiptarë

Në javën e shëndetit, “autoambulanca rozë” që ka rrugëtuar nga Turqia në Shqipëri, do të ofrojë për 3 ditë shërbimin e mamografisë dhe paptestit falas për gratë nga mjekë turq dhe shqiptarë.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj nisme ishin të pranishëm Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, zv/Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Ahmet Baha Ogutken, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i degës për Ballkanin i Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Turqisë (MUSIAD), Bilal Kara dhe zyrtarë të tjerë.

“Jemi në javën e shëndetit e cila kulmon më 7 Prill, në ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, ndaj dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të rikthyer edhe një herë vëmendjen te rëndësia që ka parandalimi i hershëm i sëmundjeve, posaçërisht sëmundjeve tumorale sepse shpëton jetë! Ndaj dua të bëj një ftesë për të gjitha gratë që të mos e neglizhojnë kontrollin për kancerin e gjirit dhe kancerin cervikal, që për fat të keq, janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve nga kanceri te gratë në Shqipëri”, tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal gjithashtu edhe te zgjerimi i programeve parandaluese të ofrimit të shërbimit në komunitet, aty ku janë nevojat, përmes mamografëve të lëvizshëm në të gjithë vendin.

“Vetëm në muajt e parë të këtij viti u kryen rreth 900 mamogafi, ndërsa në vit realizohen rreth 5 mijë mamografi falas përmes mamografëve të lëvizshëm në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër ne po fuqizojmë spitalet rajonale me aparaturat e nevojshme për ofrimin e shërbimit aty ku janë nevojat. Pesë mamografi të reja do të instalohen këtë vit në spitalet rajonale Durrës, Kukës, Vlorë, Dibër dhe Gjirokastër”, tha Manastirliu.

Në këtë javë, qeveria turke po mbështet Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë me dy nisma dhe programe të rëndësishme, siç është “autoambulanca rozë” dhe trajnimi i mjekëve dhe infermierëve për urgjencën mjekësore.

Zv.ministri Öğütken në fillim të fjalës së tij ka përcjellë për të pranishmit përshëndetjet e popullit turk dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Midis Turqisë dhe Shqipërisë ka lidhje të vjetra historike dhe kemi ardhur këtu për t’i forcuat sa më shumë këto lidhje. Ne kemi ndihmuar për trajnimin e mjekëve shqiptarë që herë pas here vijnë në Turqi dhe përfitojnë nga përvoja jonë në fushën e shëndetësisë. Pa pagesë çdo vit 100 pacientë shqiptarë mjekohen në Turqi dhe deri më sot 1500 vëllezër shqiptarë janë mjekuar dhe shëruar falë shërbimit shëndetësor në Turqi. Kjo ambulancë shëtitëse ka ardhur nga Turqia në Shqipëri dhe gjithë shërbimi do të jetë pa pagesë”, theksoi Öğütken

Zv.ministri turk tha se për personat që do të kryejnë vizitat dhe do të rezultojnë të sëmura për një numër të caktuar do të marrin përsipër mjekimin në Turqi. “Shpresojmë që të gjitha gratë të rezultojnë të shëndetshme nga këto ekzaminime, por nëse do të ketë gra që do të kenë probleme që lidhen me tumoret, ne do të garantojmë kurimin e një pjese prej tyre në klinikat tona në Turqi”, tha Ogukten.

Kryetari i degës për Ballkanin i MUSIAD, Bilal Kara, tha se lufta kundër kancerit ka edhe dimensionin ekonomik, duke shtuar se problemi kryesor për pacientet me kancer është se drejtohen tek mjeku me vonesë. Ai theksoi se këto veprimtari do të ndikojnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Autoambulanca rozë” do të qëndrojë nga data 3-5 Prill në sheshin Skëndërbej, nga ora 09.00-18.00 për të ofruar shërbimin e mamografisë dhe paptestit falas për gratë.  ata

Aktualitet

Archives