Operacioni i SPAK/ Ministra Gjonaj: Mesazh i qartë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë korrupsion

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot në një intervistë televizive se, operacioni i SPAK ditën e sotme që çoi në pranga gjyqtaren Enkelejda Hoxha, është një mesazh i qartë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë korrupsion dhe marrin veprime të kundërligjshme.

Gjonaj u shpreh e bindur se, “këto masa sot nuk kanë qenë thjesht për t’i dhënë një zgjidhje apo për të goditur  vetëm rastin e gjyqtares, por është një mesazh i qartë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë korrupsion dhe marrin veprime të kundërligjshme, deri në lirimin në mënyrë abuzive, të paligjshme të personave të dënuar”.

“Besoj që sistemi vazhdon të ketë ende gjyqtarë dhe prokurorë të tillë, prandaj është një mesazh mjaft i mirë që vjen në këtë moment, edhe për shkak të pritshmërisë që kanë qytetarët ndaj organeve të SPAK-ut, por njëkohësisht edhe për faktin që ka qenë një shqetësim i kahershëm i evidentuar edhe nga ne si Ministri e Drejtësisë, por njëkohësisht jam e bindur edhe nga qytetarët”, theksoi ajo.

“Mund të them që rastet që lidhen me gjyqtaren e Krujës por njëkohësisht edhe një sërë gjyqtarësh të tjerë, të cilët janë ngritur shumë më herët edhe nga Ministria e Drejtësisë, janë bërë publike si fakte, kanë pasur fakte dhe kanë qenë ngjarje po kaq të rënda. Kanë pasur nevojë edhe për një reagim më të shpejtë nga institucionet”, tha Gjonaj.

Duke folur për rastin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, Gjonaj tha se, “ministria e Drejtësisë që në janar të vitit 2020 ka dërguar dosjen si në KLGJ ashtu edhe në organin e prokurorisë, një për pjesën e procedimit disiplinor të kësaj gjyqtare në rastin e lirimit të një prej subjekteve kriminalë, Dokle. Gjithashtu është referuar edhe kallëzim penal në organin e prokurorisë. Pavarësisht kësaj i është kërkuar edhe institucioneve të Vetingut që të kishte prioritet në procesin e vlerësimit kalimtar për këtë gjyqtare”.

Ministrja Gjonaj tha se ka disa dosje gjyqtarësh dhe prokurorësh që Ministria e Drejtësisë ia ka dërguar ILD dhe pritet të nisë hetimi disiplinor.

“Me reformën në drejtësi, Ministria e Drejtësisë e ka kompetencën më të kufizuar për të adresuar të gjitha rastet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët kryejnë abuzime. Por padyshim ne kemi një sërë dosjesh që janë dërguar për gjyqtarë dhe prokurorë, kur janë evidentuar nga ne, kur adresuar nga institucionet ligjzbatuese, të cilat janë në varësi të MD, por njëkohësisht edhe në ato çfarë kanë qenë fakte publike. Dhe ne presim që ILD të kryejë veprime me këto dosje, ku ka avancuar, por do të duhet tashmë të ketë dhe një fillim të hetimit disiplinor, për të bërë kërkesën edhe formale drejtuar KLGJ, me qëllim që të ketë një vendimmarrje për të gjithë ata të cilët kanë kryer veprime në abuzim me legjislacionin apo dhe me detyrën”, përfundoi Gjonaj. Ata

Aktualitet

Archives