“Arrestimi i bashkëpunëtoreve të sanitares, lajm shumë i mirë”

Kryeministri Edi Rama e deklaroi sot se, “kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit”.

Në një konferencë për shtyp, Rama u ndal te çështja e arrestimit të 3 infermiereve dhe 1 sanitareje një ditë më parë si bashkëpunëtore me sanitaren Tire Alldervishi, pas denoncimit nga një qytetareje publikuar në një emision investigativ.

Rama e cilësoi si, lajm shumë të mirë prangosjen e atyre që i cilësoi si, “katër xhagajdurëve të tjerë në kuadrin e hetimeve të thelluara që nisën pas denoncimit publik të një zonje, qytetareje, përmes emisionit investigativ “Stop”. Është një lajm shumë i mirë, sepse është një mesazh shumë i qartë në radhë të parë për qytetarët, të cilët nuk duhet të ngurrojnë, të denoncojnë në çdo drejtim që ata e shohin të arsyeshme, përfshirë edhe mediat investigative, që gjej rastin edhe një herë t’i falënderoj për punën që bëjnë dhe konkretisht për këtë rast skandaloz dhe njëkohësisht kaq domethënës”.

Rama shtoi se, “është një mesazh i qartë për gjithë atë pjesë të trupës së bluzave të bardha që, për fat të mirë, është një pakicë vogël, por është një pakicë e mjaftueshme për të ndotur imazhin, për të ndotur pastërtinë e bluzave të bardha, për të ndotur rrugën e transformimit, jo vetëm të kushteve të tyre, por edhe të performancës që vazhdon”.

Dhe patjetër, nënvizoi Rama, “është një mesazh i qartë edhe për të ardhmen, pasi unë besoj që kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në sistemin shëndetësor është thellimi i reformës së sistemit. Reformë që ne e kemi nisur dhe tani jemi në kushtet kur kemi një bazë solide për të hedhur hapin e madh të autonomisë spitalore, të motivimit të mëtejshëm të mjekëve në bazë të kartës së performancës së tyre, të diversifikimit sipas performancës edhe të shpërblimit të mjekëve. Dhe natyrisht të kalimit në tërësi në një fazë tjetër, ku faktikisht, bazuar në modelet më të mira dhe në praktikat më të mira mund të arrijmë dhe do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët me shpërblimin motivues për mjekët”.

Rama tha se, “natyrisht që kjo është një ambicie, e cila është shumë më e lehtë ta thuash, sesa ta realizosh. E cila nuk mund të shihte rrugën e realizimit më parë, pa shtruar bazën e të gjithë infrastrukturës sonë spitalore dhe të të gjithë shërbimit tonë të ri shëndetësor”.

“Natyrisht edhe në sektorin e shëndetësisë, çka mbetet për t’u bërë është edhe më shumë se çka është bërë. Por ama ç’ka është bërë është një provë e një transformimi të pakrahasueshëm me çka ishte shëndetësia jonë, me çka ishin spitalet tona, me çka ishte shërbimi në sistemin tonë spitalor dhe shëndetësor jo 70, as 17, por deri 7 vite më parë. Një skandal i pashoq në mes të Europës, një turp i pashembullt në mes të Europës”, tha Kreu i Ekzekutivit.

Ai shtoi se, “sot ne kemi një pasqyrë krejt tjetër në çdo pikëpamje dhe mbi këtë pasqyrë ne jemi sot në gjendje të hedhim hapin tjetër të madh. Kësaj ambicie i shërben edhe programi i spitalit të ri të Fierit, i cili siç e kam thënë dhe më parë, nuk do të jetë vetëm një infrastrukturë moderne me të gjithë parametrat dhe standardet e shërbimit cilësor shëndetësor, sepse struktura të tilla ne kemi tanimë, nuk është e para, por do të jetë edhe një bazë e transferimit të dijes dhe do të shërbejë si projekt pilot për transformimin e krejt sistemit të administrimit brenda gjithë rrjetit të spitaleve tona”.

“Një, transferim dijeje bazuar në modelin botërisht të njohur të suksesit në Turqi, ku ka një ndarje të qartë mes administrimit të aseteve dhe të logjistikës me administrimin e burimeve njerëzore. Ku vlerësimi i performancës së mjekëve sjell edhe masën e shpërblimit të tyre. Ku historia e vjetër e mjekëve me dy stacione, një në spitalin publik dhe një në klinikën private merr fund. Dhe merr fund jo vetëm sepse është një praktikë e ndaluar, por është edhe një praktikë e panevojshme kur në kushtet duke punuar në spitalin publik, mjekët mund të marrin rroga shumë më të larta se këto që marrin sot në bazë të shërbimit që japin”, u shpreh Rama.

Patjetër, shtoi Rama, “që ky projekt pilot do të jetë një burim shumë i rëndësishëm informacioni dhe një burim shumë i rëndësishëm dijeje edhe për ne në funksion të shtrirjes së modelit në të gjitha spitalet tona”.

Aktualitet

Archives