Nishani në Takimin e Berlinit: Marrëdhëniet mes njerëzve po cënohen nga terrorizmi

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Takimin e 22-të Ndërkombëtar të Berlinit, i organizuar nga Bundestagu dhe Shoqata gjermane për Bashkëpunim e Mirëkuptim mes Njerëzve.

Në këtë edicion të 22-të, morën pjesë liderë e personalitete të shumta gjermane dhe të huaja, të politikës, besimeve të ndryshme fetare, botës akademike etj.

Presidenti Nishani theksoi ndër të tjera në fjalën e tij se marrëdhëniet ndërnjerëzore, me gjithë arritjet e paimagjinueshme në intensifikimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit, si dhe në fushën e të drejtave të njeriut, po cënohen nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, populizmi, fuqizimi i rrymave anarkiste, ndërsa shtoi se, “vëmendja kryesore e politikës dhe e shoqërive tona sot është tërësisht e përqendruar në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit e koordinimit për një botë më të sigurt, si për shoqërinë aktuale ashtu edhe brezat që vijnë pas”.

Kreu i shtetit i njohu të pranishmit edhe mbi eksperiencën e veçantë të Shqipërisë, jo vetëm sa i përket pranisë së disa besimeve kryesore fetare, por për traditën e madhe e shumëshekullore të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit reciprok mes këtyre besimeve, duke i konsideruar si shtyllat e qëndrueshmërisë së shtetit dhe vlera të patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare në tërësi. Si shembull të tolerancës, Presidenti Nishani përmendi strehimin dhe mikpritjen që shqiptarët i ofruan gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë hebrenjve që ndjeheshin të kërcënuar në vende të tjera të Evropës.

Ai evidentoi edhe rolin e madh që luajnë komunitetet fetare dhe krerët e përfaqësuesit e tyre në Shqipëri për adresimin e fenomenit të terrorizmit dhe të ektremizmit të dhunshëm, si dhe bashkëpunimit të strukturave shtetërore me këto komunitete për çkurajimin e elementëve të radikalizuar.

“Krerët e bashkësive fetare në Shqipëri kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar në këtë drejtim dhe kanë dhënë një ndihmesë shumë të vyer për të gjithë shoqërinë shqiptare. Edhe prania e tyre sot këtu në Berlin, flet shumë. Për çështje të tilla madhore, ata janë gjithmonë bashkë e solidarë. Kjo duhet të na motivojë edhe ne politikanët për të ndërtuar struktura solide për të ardhmen e sigurt të brezave që do vijnë”, u shpreh Nishani.

Kreu i Shtetit, gjatë vizitës në Berlin u takua edhe me Presidentin e Bundestagut, Dr. Norbet Lammert, të cilin e siguroi për vijimin me vendosmëri të procesit të reformave nga institucionet shqiptare, ku ndër më kryesoret mbetet zbatimi i reformës në drejtësi.

Në këtë forum ndërkombëtar Shqipëria u përfaqësua dhe me anëtarë të komunitetit mysliman, të Kishës Katolike, Kishës  Ortodokse, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, si dhe të Vëllazërisë Ungjillore.

Aktualitet

Archives