Financat inspektime të gjera te Tatimet e Doganat

Ministri e Financave ka filluar një inspektim të gjerë të degëve të Doganave dhe drejtorive rajonale të Tatimeve në vend, por edhe në institucionet e tjera në varësi për zbatimin e urdhrit për mos angazhimin në fushatë gjatë orarit të punës.

Ministrja Helga Vukaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Lezhë, duke ofruar mbështetjen e plotë për punonjësit tatimorë, në çdo rast kur ata do të ndjehen nën presion, keqpërdoren apo kërcënohen gjatë apo pas orarit zyrtar.

Nga ana tjetër, Ministrja e Financave paralajmëroi inspektorët tatimorë që kanë edhe atribute të tjera hetimore, që në asnjë rrethanë nuk duhet të jenë pjesë e fushatës zgjedhore pasi do të procedohen sipas ligjit.

Znj. Vukaj zhvilloi një takim edhe me disa prej drejtuesve më të lartë të hetimit në Tatime dhe dogana. Ministrja e Financave kërkoi që strukturat vartëse të mos shantazhojnë dhe bëjnë presion ndaj bizneseve për arsye zgjedhore por të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Financave përfiton nga rasti t’ju bëjë thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie ne aktivitetet partiake. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aktualitet

Archives