Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Bylykbashi-Vasili: Shkatërrohet konsensusi i Këshillit Politik

Përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili në një konferencë për shtyp reaguan në lidhje me votimin nesër në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor duke i konsideruar të njëanshme.

Bylykbashi tha se ishte reforma konsensuale që garantoi konsensus për të rritur standardin e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Është një reformë zgjedhore që solli instrumente shtesë për të garantuar që zgjedhjet e 2021 të kenë sa më pak probleme dhe t’i priten duart  ndërhyrjes së partisë në pushtet për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve siç ka bërë në të shkuarën”, u shpreh ai.

“Me votimin e nesërm të bazuar në miratimin e njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese, Edi Rama shkatërron pikërisht marrëveshjen e 14 janarit, shkatërron konsensusin që ndërtoi Këshilli Politik, shkatërron marrëveshjen e 5 qershorit dhe produktin konsensual të kësaj marrëveshjeje duke ndërhyrë drejtpërdrejt në elemente që u dakordësuan më 5 qershor, u miratuan në aspektin teknik më 30 qershor dhe parlamenti i kaloi dhe i bëri ligj konsensual më 23 korrik të këtij viti”, theksoi ai.

Bylykbashi shtoi se “ndërhyrjet e nesërme do ndërtojnë konfuzion në mënyrën sesi do funksionojë sistemi zgjedhor dhe e gjithë kjo bëhet për një qëllim, sesi  Edi Rama të reduktojë humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme. Për çdo rast asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor nuk do të ndalë atë që me 25 prill do jetë  fundi politik i kësaj mazhorance dhe fitorja e opozitës”.

“Në të gjithë përpjekjen e tij për të thënë se procesi i reformës që ai po përmbyll në mënyrë të njëanshme nuk është gjë tjetër veç se ishte një përpjekje për të përdoruar Këshillin Politik, por pa sukses, që të legjitimonte njëanshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, që tashmë jo vetëm nuk i garantuan zgjedhësve shqiptarëve lista të hapura por nga ana tjetër po heq mundësinë që partitë politike të garojnë të lira në një koalicion i cili do ta mund Edi Ramën në 12 qarqet e Shqipërisë”, tha ai.

Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili tha se “votimi i nesërm për të gjithë shqiptarët është prova e fundit e paralajmëruar e Edi Ramës, sepse çdo akt i nesërm nuk është as më shumë as më pak përgjegjësi e rëndë për sot dhe nesër, përgjegjësi të cilën Edi Rama nuk mund ta shmangë dot, pasi në mënyrë të vullnetshme në funksion të një strategjie të mirëpërcaktuar varros integrimin evropian të vendit. Me votimin e nesërm, hapje negociatash nuk ka”. 

Aktualitet

Archives