Meta: Jam kundër diplomatëve karagjozë që tallen me Kushtetutën

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se miratimi nga Kuvendi i ligjit për disa ndryshime në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i heq të drejta dhe kompetenca presidentit.

Në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, Meta fillimisht tha se, “dje Kuvendi miratoi dekretin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve në ligjin për gjykatën Kushtetuese. Ky është ai dekret që pata kënaqësi që ta nënshkruaja, para manifestimit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në 2 mars. Betimi i gjyqtarit kushtetues do të duhet të bëhet para Presidentit të Republikës. Veprimi për të ndryshuar procedurën ishte antikushtetues”.

Por, shtoi Meta, “në të njëjtën ditë, kur vëmendja ishte e përqendruar tek një çështje zhurmëmadhe, Kuvendi u soll krejt ndryshe me ligjin tjetër, për disa shtesa për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kuvendi dje preku në mënyrë të shëmtuar, të njëanshme dhe të pabesë ligjet e Reformës në Drejtësi. Kuvendi i hoqi të drejtën Presidentit për të pranuar betimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe prokurorëve të SPAK”.

Meta tha se, Gjykata e Lartë është kompetente edhe për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta shtoi se si ngritja e Gjykatës së Lartë, dhe asaj Kushtetuese, janë dy nga kushtet e BE dhe Bundestagut gjerman.

Presidenti Meta deklaroi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votuara nga parlamenti dje sipas marrëveshjes së 5 qershorit nuk kanë mbërritur ende në Presidencë dhe sapo të vijnë do të kontrollohen nëse janë zbardhur sipas marrëveshjes së Këshillit Politik e më pas firmosen.

I pyetur se ai ka qenë kundër ambasadorëve në disa raste më herët, ndërsa sot zhvilloi takim me ambasadorët e huaj për ndryshimet kushtetuese e për hapjen e listave, Meta u shpreh se: “Unë nuk jam kundër diplomatëve se nuk është çështja ime të merrem me diplomatët, por sa herë diplomatë karagjozë tallen me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vënë në diskutim kompetenca të Presidentit të Republikës apo aq më tepër, tallen me popullin shqiptar dhe nuk i thonë të vërtetën se çfarë penalizimi i pret në procesin e integrimit europian siç dhe ka ndodhur, sigurisht është e drejta e Presidentit t’i thotë popullit shqiptar të vërtetën, dhe e ka konfirmuar dhe Venecia, Bundestagu, PE dhe të gjithë institucionet nërkombëtare. Ky është raporti i Presidentit me të gjithë partnerët ndërkombëtarë”.

Meta ka paralajmëruar një rol të madh të Presidentit në zgjedhjet e ardhshme.

“Presidenti nuk merr pjesë në zgjedhje. Sot është 3-vjetori i ceremonisë së betimit dhe marrjes së detyrës. Kështu që konferencën e fundit për shtyp do e kemi pas 2 vitesh. Roli i presidentit si kryetar i shtetit është mjaft i rëndësishëm, veçanërisht në një situatë që ka të bëjë me një interes të madh publik për një proces të diskutueshëm për të cilin ekzistojnë shumë kushte që janë të domosdoshëm për t’u plotësuar në mënyrë që Shqipëria të çelë negociatat me BE”, tha ai.

“Duket ditur që për pak muaj do shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve është e rëndësishme që presidenti të marrë të gjitha masat kushtetuese ligjore dhe të bëjë gjithçka në mënyrë transparente për të parandaluar keqpërdorimin e institucioneve të shtetit. Do kemi shumë akte në këtë drejtim që do jenë tepër transparente dhe do kemi disa taskforca që do të kontribuojnë për zgjedhjet e ardhshme. Pra roli i presidentit do jetë si asnjëherë tjetër më parë, pasi kushtet dhe presioni ndërkombëtar është i jashtëzakonshëm për garantimin e kushteve më të mira në këto zgjedhje”, deklaroi Meta. ata

Aktualitet

Archives