Kryeministri Rama inspektim në furrat e bukës: Marzhi i fitimit duhet të jetë minimal

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një vizitë mbikëqyrëse në dy furra buke, për çmimet bazë që ndjek Bordi i sapongritur i Administrimit, për masat që po ndërmarrim për përballimin solidar të goditjeve të luftës në Ukrainë mbi mallrat e konsumit.

Në bashkëbisedim me tregtarët, Kryeministri theksoi se “kjo është një fazë vështirësie për të gjithë, edhe për ju, pavarësisht se këtu janë tendencat e gabuara që t’i hidhet gjithë faji prodhuesve, furnizuesve dhe tregtarëve”.

“Jemi pak me atë frymën negative antikapitaliste në këto momente, por nga ana tjetër duhen mirëkuptuar dhe njerëzit që kanë gjithë këtë stres. Ajo që ne mund të bëjmë është që të mos lejojmë abuzimet sa të mundemi, sepse çmimet duhet të jenë të tilla që edhe ju të mos futeni në vështirësi, por të nxirrni një minimum fitimi që ju duhet për këtë periudhë. Por jo për të shfrytëzuar rastin për të nxjerrë edhe më shumë fitime se sa kur është kohë normale”, tha Rama.

Ndaj, Kryeministri theksoi se janë ngritur edhe bordet për ushqimet dhe karburantet.

“Prapë është rritur karburanti në bursë se këto janë gjëra që ne nuk i frenojmë dot dhe do të reflektohen te çmimet, por nga ana tjetër duhet të jemi shumë solidarë të mos përfitojmë në kurriz të njerëzve që këto i kanë bazë”, shtoi ai.

Duke folur për lehtësitë fiskale për biznesin e vogël. Rama tha se “ai nuk ka taksa dhe TVSH”.

“Ne nuk duam të rrisim asnjë ngarkesë te biznesi i vogël. Dalin dhe thonë ‘hiqni taksën e naftës’, por ju te energjia paguani njësoj si më parë. Nëse do t’ju vinte fatura reale ju do të hiqnit një person nga puna dhe në total janë 95 mijë biznese të vogla. Këtë nuk mund ta bëjmë. T’ju rrisim taksat në këtë fazë absolutisht që nuk duam ta bëjmë dhe e kemi marrë përsipër që biznesin e vogël ta mbajmë me taksa zero”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “asnjë vend në rajon dhe as në Evropë nuk e ka biznesin e vogël me taksa zero”.

“Tani ju takon edhe juve që të jeni maksimalisht të vëmendshëm që njerëzit të marrin atë që i takon. As më shumë as më pak. Një marzh fitimi që ju lejon të nxirrni aq sa të mos futeni ju në gropë, se pastaj prishet gjithë cikli”, tha Kryeministri.

Ai theksoi se për qeverinë, biznesi i vogël është motor i punësimit dhe shërbimit dhe prandaj janë pa taksa.

“Energjia ju vjen në faturë si më parë, nuk keni asnjë ndryshim. Imagjinoni çdo të ndodhte nëse do të paguanit 300 mijë apo 400 mijë lekë plus te energjia, do të kishim një ushtri me të papunë. Por ne duam të mbrojmë vendet e punës për bizneset e vogla. Megjithatë kjo nuk është koha për të fituar ndaj kërkohet mirëkuptim nga ana juaj. Ne i kemi dhënë një garanci sovrane atyre që sjellin lëndën bazë që të krijojnë rezerva dhe kemi rënë dakord që marzhet e fitimit të qëndrojnë të ulëta”, tha Rama.

Ministrja Ibrahimaj kërkoi që furrat e bukës të afishojnë çmimet dhe peshën për secilin produkt.

“Gjatë kësaj periudhe ka pasur ankesa që furrat e bukës nuk kanë ato pesha që duhen të kenë. Sidomos në këto momente asnjë tregtar nuk duhet të abuzojë në pesha dhe çdo konsumator duhet të marrë atë që paguan. Ne kemi krijuar Bordin e Transparencës dhe Monitorimit të çmimeve dhe jemi marrë kryesisht me produktet bazë. Një prej tyre është mielli, 90% e të cilit blihet nga furrat e bukës. Nëpërmjet bordit ne do të kujdesemi që gjithë tregtarët dhe prodhuesit e miellit ta sjellin atë me të njëjtin çmim në çdo furrë buke që çmimi të mos transferohet te buka. Juve nuk ju ka ndryshuar fatura e energjisë elektrike dhe nuk përdorni karburant, ndaj gjithë çështja është çmimi i miellit”, tha Ibrahimaj.

ata

Aktualitet

Archives