KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin nga Shkodra, Aleks Nikolli

Gjyqtari Aleks Nikolli është shkarkuar sot nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkodër është njohur me vendimin e marrë nga treshja e gjyqtarëve Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi vlerësoi dosjen e gjyqtarit Nikolli bazuar në tri kriteret e procesit të vetingut, pasurinë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale, vendosi shkarkimin e tij.

Nikolli është diplomuar për drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe nga viti 2001 deri në vitin 2004 ai ka mbaruar gjithashtu studimet në shkollën e Magjistraturës. Në vitin 2015, Nikolli ka marrë titullin doktor shkencash në Universitetin Europian të Tiranës. Nga viti 2004 deri në vitin 2016, Nikolli ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe nga viti 2016 në vitin 2020 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Në vitin 2019, Nikolli u vu nën hetim për korrupsion nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit – një kriminel famëkeq i dënuar për vrasjen e 4 policëve, dëshmorë të Atdheut.

Tashmë, Nikolli largohet nga sistemi i drejtësisë pasi nuk kaloi dot Vetingun.

Nikolli ka të drejtë të apelojë këtë vendim të KPK në Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Aktualitet

Archives