Juncker: Ballkani Perëndimor ka një perspektivë evropiane

Në kuadër të turneut të vizitave në vendet e Ballkanit, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka vizituar Shqipërinë, ku në një konferencë për mediat me kryeministrin e vendit, Edi Rama, theksoi se për Bashkimin Evropian vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende aleate dhe partnerë, raporton Anadolu Agecy (AA).

Rama ka realizuar një takim me Juncker, i cili shoqërohet gjatë vizitës nga komisioneri i BE-së për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit Hahn, Johannes Hahn, ndërsa në konferencën për mediat u përqendruan në procesin e reformave në Shqipëri në disa fusha, perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Për ne, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria veçanërisht janë vende mike, aleate dhe partnerë, që kanë një perspektivë evropiane. Konstatoj me kënaqësi që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progreset sepse ka ndërmarrë reforma strukturore në shumë fusha që janë impresionuese dhe këto progrese janë mbresëlënëse nëse vazhdojnë në këtë rrugë reformat. Kjo do t’i lejojë Shqipërisë që KE të rekomandojë hapjen e negociatave. Inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë reformat e rëndësishme që janë ndërmarrë sidomos në luftën kundër krimit dhe organizimit të gjyqësorit. Ne do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatitet për anëtarësimin (në BE). Të gjitha problemet me vendet kufitare duhet të jenë të zgjidhura deri në datën e anëtarësimit”, tha Juncker.

Ai ka shtuar se BE mbështet Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit, ndërsa ka theksuar se “vendi i natyrshëm i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”.

Rama theksoi se ka informuar kreun e KE-së, Juncker, për ecurinë e reformave dhe vendosmërinë Shqipërisë, sipas tij të për të vijuar të jetë nga njëra anë në një proces intensiv përafrimi me BE-në dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

“Ka hyrë në proces operacioni ‘forca e ligjit’. Ka hyrë në proces reforma që synon lehtësimit të burokracisë me qytetarët, me efekt luftën kundër korrupsionit. Ka hyrë gjithashtu në proces një transformim rrënjësor në marrëdhëniet e drejtësisë me qytetarët. Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur sepse reformat e integrimit janë të domosdoshme sepse i kërkon Shqipëria dhe është borxhi që i kemi gjeneratës tjetër. Ky është një proces unikal i pazëvendësueshëm për funksionimin e institucioneve demokratike”, tha Rama.

Sipas Ramës, integrimi në Bashkimin Evropian është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, duke shtuar se hapja e negociatave(me BE-në) përbën sipas tij hapjen e një kapitulli të ri përpjekjesh, në rrugën e reformave për anëtarësimin e plotë të vendit në BE.

Ndërkohë është parashikuar që nesër presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, të realizojë një takim me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Aktualitet

Archives