Dita-ditës po shkurtohet udha e daljes nga tuneli i gjatë i pandemisë/ Mjeku Kalo: Mos hezitoni të vaksinoheni

Mjeku infeksionist Tritan Kalo tha sot se dita-ditës po shkurtohet udha e daljes nga “tuneli i gjatë i pandemisë nga Sars-Cov2/Covid-19”, dhe drita jeshile sa vjen e zmadhohet në fundin e tij”.

Por gjithsesi, mjeku kërkon të vijohet me respektimin e masave dhe apelon qytetarët që të mos hezitojnë të vaksinohen sapo t’u ofrohet një mundësi e tillë.

“Kemi patur qindra-mijëra të sëmurë e jo më pak jetë të humbura në mbarë botën nga kjo “flamë”, duke përjetuar shumë e shumë drama të dhimbëshme individuale e familjare, por fatmirësisht kemi përjetuar edhe shumë e shumë gëzime të ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen. Kujdes, të mos e nënvlerësojmë përkujdesin ndaj vetes dhe të afërmve tanë, për sa kohë virusi jetëlëndues e jetëmarrës ende rrezikon të na infektojë, si dhe për sa kohë që imunizimi aktiv nga kalimi i sëmundjes dhe vaksinimi i popullatës, nuk e ka mbritur atë cak të domozdoshëm për këputjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit në mesin tone”, deklaroi ai.

Ecuria e pandemive të kësaj natyre, thekson ai, ka ligjësitë e saj.

“Lehtësimi gradual i masave kufizuese fatmirësisht po na krijon mundësitë socio-ekonomike e psikologjike të rigjallërimit të gjithçkaje në jetët tona. Ditë më të mira na presin, por kjo nuk duhet të na bëjë euforikë dhe të nënvlerësojmë përkujdesin ndaj vetvetes dhe atyre që gjallërojnë pranë nesh”, vuri në dukje Kalo.

Sipas tij, përshpejtimi i ritmeve të vaksinimit në kohët e fundit është një masë e shumë pritur për një ecuri edhe më pozitive në udhën e ngadhnjimit mbi këtë “flamë mbarëbotërore”.

“Kurrë mos hezitoni që të vaksinoheni sapo t’u ofrohet një mundësi e tillë. Ne mantelbardhët dhe trupa e ofrimit të përkujdesit shëndetsor jemi kurdoherë aty në vijën e parë të përballjes me pandeminë e infeksionit nga Sars-Cov2/Covid 19, për të bërë më të mirën tonë në ofrimin e ndihmës sonë jetëshëruese”, thekson ai, ndërsa kërkon të mos mungojë besimi në punën, përkushtimin e profesionalizmin e bluzave të bardha. ata

Aktualitet

Archives