Urimet për besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin nga politika shqiptare

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit dhe mbylljen e Muajit të Ramazanit.

“Gëzimi i festës së bekuar të Fitër Bajramit vjen pas një muaji sakrificash të agjërimit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë u falën, dëshmuan besimin, dashurinë, shpresën, solidaritetin dhe humanizmin. Fitër Bajrami është për myslimanët shqiptarë një festival i shpalosjes së vlerave më të mira të besimtarëve, është pjesë e mozaikut shpirtëror të shumë traditave shqiptare e botërore”, tha Ruçi.

“Myslimanët shqiptarë nderojnë fenë e tyre dhe pasurojnë jetën shpirtërore të kombit. Edhe këtë vit muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajrami janë gëzime brenda një dhimbjeje të madhe që ka kapluar gjithë njerëzimin. Por lajmi i mirë është se ne shqiptarët po lehtësohemi prej vuajtjes që shkaktoi pandemia dhe jemi në pragun e daljes e shpëtimit prej saj. Festa e Fitër Bajramit na i lehtëson sakrificat, na i shton shpresat dhe na e shumëfishon gëzimin e rikthimit në normalitetin e jetës”, theksoi Ruçi.

“Pas kufizimit të ushtrimit të riteve, agjërimit, gëzimit e shpresës brenda vatrave familjare, ka filluar çlirimi prej tyre dhe festimi e gëzimi bashkarisht. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë besimtarët, institucionet dhe komunitetin mysliman për mbështetjen që u dhanë qytetarëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve e më të dobtëve për të përballuar mundimet dhe vuajtjet që shkaktoi pandemia. Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar!”, tha Ruçi.

“Të gjithë myslimanëve u uroj Bajram të bekuar dhe të gëzuar! Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë shqiptarëve!”, shkruan në mesazhin e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta: Koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore

Presidenti Ilir Meta tha se i bashkohet festës së çdo besimtari mysliman shqiptar për mirëseardhjen e Fiter Bajramit dhe urimeve të përzemërta për agjerim të pranuar, për më shumë shëndet, mbarësi, begati dhe paqe në familjet tuaja.

“Me thirrjen e lutjeve të mëngjesit, nesër nga xhamitë e qyteteve dhe të fshatrave tona, besimtarët do të shënojnë përmbylljen e Ramazanit, të një muaji reflektimi shpirtëror plot sakrifica, por edhe me sfida të tjera të vështira shoqërore, që kaluam së bashku.

Shumë shqiptarë ndanë gjatë Ramazanit ndihmën e tyre fisnike për njerëzit në nevojë, duke ju gjendur pranë të sëmurëve, të varfërve dhe të pamundurve, me qëllimin e mirë për të ndërtuar një jetë të përbashkët komunitare, më të drejtë dhe më solidare”, u shpreh Meta.

“Mbështetur në këto parime dhe vlera të larta hyjnore, morale, sociale dhe kombëtare është koha të angazhohemi çdo ditë për të ndërtuar një Shqipëri më njerëzore, që udhëhiqet me besimin në Zot, me përgjegjësinë qytetare dhe institucionale, vetëm drejt së mirës së përbashkët dhe që e refuzon arrogancën, korrupsionin, veset dhe dhunën, në çdo formë që ato mund të shfaqen”, vijoi ai.

“Kremtimet e Fiter Bajramit na kujtojnë sot me krenari sakrificat e patriotëve tanë të besimeve të ndryshme fetare për të ndërtuar shtetin e pavarur dhe sovran, si dhe për të konsoliduar një nga vlerat më përfaqësuese të kombit shqiptar, harmoninë e mrekullueshme ndërfetare. Kjo trashëgimi e vyer nuk do të ishte e mundur pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerikëve myslimanë, të cilët mbi gjithçka vendosën Atdheun, si gjënë më të shenjtë”, tha Meta.

“Së bashku, edhe ne, duhet të angazhohemi për të mbrojtur demokracinë, pa të cilën liria e besimit sot nuk do të ishte e mundur dhe për të forcuar Shqipërinë në tërësi, për ta kthyer atë në familjen tonë të përbashkët, ku të gjithë të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre të sigurt europiane dhe ku askush të mos ndihet i përjashtuar, i izoluar, i nënçmuar dhe i vjedhur”, shtoi ai.

Basha: Agjërim të pranuar, lutje të pranuara, shpresë të përtëritur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi besimtarët muslimanë për Fiter Bajramin.

“Nga zemra ju uroj gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar Fitër Bajramin! Agjërim të pranuar, lutje të pranuara, shpresë të përtëritur. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, u shpreh Basha. Ata

Aktualitet

Archives