Aktori Gürkan Uygun bashkëbisedim me artdashësit shqiptarë

Është mbyllur në Kinema Millennium në Tiranë Java e Filmit Turk me shfaqjen e filmit “Letër Lamtumire në Vapën e Ankarasë” (Ankara Yazı Veda Mektubu), ku i pranishëm ishte dhe një nga aktorët e filmit, Gürkan Uygun, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me artdashësit, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke në Shqipëri, artistë, studentë dhe artdashës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori Yöruk tha se artisti Gürkan Uygun personazheve që ka luajtur në serialet Lugina e Ujqërve dhe Kryeqyteti Abdylhamit ka arritur t’u japë një shpirt të madh, saqë, sipas tij, tashmë edhe vetë është bërë njësh me ta.

Ndërsa aktori, Uygun, në fjalën e tij theksoi se “ndihem me fat pasi për një artist është shumë e rëndësishme të jesh i njohur jashtë Turqisë”.

Duke folur për vështirësitë e roleve në aktrim, Uygun tha se në të kaluarën gjërat kanë qenë më të vështira, ndërsa në ditët e sotme është më e lehtë, pasi me anë të internetit arrin informacioni më lehtë.

Duke folur për Shqipërinë, Uygun tha se mes dy vendeve nuk ka ndryshim. “Kam disa kontakte në Shqipëri, por nuk kam informacione të detajuara. Me atë çfarë kam parë ka disa ngjashmëri si struktura e qytetit dhe njerëzit. Unë vij për herë të parë në Shqipëri, por nuk ka ndryshim nga Turqia”, tha ai.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili theksoi se me anët të këtij aktiviteti kanë sjellë për artdashësit filmat më të mirë turq.

“Është hera e parë që organizohet një aktivitet i tillë në Tiranë dhe shpresojmë që ky aktivitet të zhvillohet edhe në vitet e ardhshme”, tha Demirbaş.

Artisti Gürkan Uygun ka lindur në vitin 1974 dhe ka filluar të luajë në teatër që në vitet e gjimnazit. Ai është formuar në Teatrin Dormen në Stamboll dhe më pas ka kaluar në aktrimin profesional. Artisti filloi të shfaqet në serialet e viteve 1990. Uygun ka luajtur role në mbi 20 seriale dhe 20 filma kinematografikë.

Java e Filmit Turk u organizua në datat 26-30 mars nga Instituti “Yunus Emre” Tiranë, me mbështetjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe institucioneve dhe organizatave të tjera shqiptare dhe turke.

Aktualitet

Archives