Takim Thaçi-Tërnava, flasin për bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë

Presidenti Thaçi ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në krijimin e bashkëjetesës ndërfetare në vend.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, me të cilin ka diskutuar për dialogun e brendshëm, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare në Kosovë.

Presidenti Thaçi siç thuhet nga kabineti presidencial, ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në krijimin e bashkëjetesës ndërfetare në vend.

“Kosova është shembull në rajon për tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare. Duhet të promovojmë këtë vlerë dhe pasuri të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Me myftiun Tërnava, Presidenti Thaçi ka folur edhe për mangësitë ligjore për bashkësitë fetare dhe për nevojën që ato të plotësohen në të ardhmen.

Myftiu Tërnava u shpreh se Bashkësia Islame e Kosovës ka bashkëjetuar me fatin e popullit dhe gjithnjë ka dhënë kontributin e vet në të gjitha proceset politike e historike në Kosovë. Sipas Tërnavës, vlera më e madhe e kombit është respekti i ndërsjellë mes besimeve dhe harmonia ndërfetare, e cila ekziston në mesin e të gjitha komuniteteve.

Presidenti Thaçi ka pohuar se për dialogun ndërfetar të udhëhequr nga institucionet fetare dhe shoqëria civile, që mbështesin dhe nxisin komunikimin ndërmjet feve, do të diskutohet së shpejti edhe në konferencën ndërkombëtare ndërfetare “Interfaith”, e cila prej këtij viti organizohet nën patronazhin e tij.

Aktualitet

Archives