Homazhe për H.Selim Muçën – Besimtarë myslimanë dhe personalitete nderojnë ish-kreun e KMSH-së

Selim Muça, ish-kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Homazhet në nder të tij u mbajtën pranë Medreses së Tiranës, ku përfaqësues të besimeve fetare nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe besimtarë të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit.

Mesazhin e rastit e përcolli pasardhësi në krye të Komunitetit Mysliman.

Skënder Bruçaj: Gjatë drejtimit të institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për 10 vite me rradhë, ishte ndër investitorët kryesorë të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Me urtësinë dhe butësinë e tij arriti të fitonte shumë miq, të niste shumë projekte, të startonte shumë objektiva që u përkthyen tani në institucionalizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë jo vetëm me hapjen e xhamive të reja, por njëkohësisht me hapjen e Medreseve, shkollave. Ai besonte fort se e ardhmja e një kombi varet tek edukimi i brezave të rinj, duke u ushqyer edhe shpirtërisht, por edhe mendërisht. Zoti e mëshiroftë!

Presidenti Nishani përmes një mesazhi ngushëllimi vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të Selim Muçës si një nga personalitetet më të shquara të vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe.

Edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi kontributin e Haxhi Selim Muçës, duke u shprehur se ai ishte një nga pionierët që punuan fort e me përkushtim për ringritjen e besimit në Shqipëri.

Kryeministri Rama shprehu ngushëllimet e tij në Facebook, ku shkroi se Selim Muça e udhëhoqi Komunitetin Musliman Shqiptar, me urtësinë e kthjelltësinë e një lideri të bute por të vendosur, në mbrojtje të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se modeli i Selim Muçës i shërbimit ndaj njerëzve, i besimit të pastër, është një vlerë e gjallë për të cilën ka shumë nevojë vendi ynë.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, tha se largimi i Selim Muçës nga kjo jetë është një pikëllim i madh për myslimanët e Shqipërisë pasi ai punoi për një islam të paqes dhe për ndërtimin e qytetarisë së dashurisë.

Selim Muça ka qenë në krye të komunitetit mysliman shqiptar për 10 vite nga 2004 deri në 2014.

Aktualitet

Archives