Hashashi “hyn” në qeveri. Ilir Meta kritika nga Korça, Saimir Tahiri përgjigjet nga Tirana

Ilir Meta nuk ishte përfshirë direkt deri tani në debatin mes opozitës dhe qeverisë për çështjen e kanabisit. Por, në ditën e parë të fushatës brenda partisë ai nuk i shmangu komentet, të cilat nuk ngjajnë me ato të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

“E ardhmja e zhvillimit të Shqipërisë është bujqësia dhe turizmi. Dhe natyrisht nuk është zhvillimi i kanabisit. Për këtë çështje politika duhet të marrë një vendim”, tha Meta nga Korça.

Në vendimmarrje, kreu i LSI-së kërkoi të përfshihen edhe partnerët ndërkombëtarë. Një kërkesë kjo që përkon edhe me qëndrimin e disa mediave afër opozitës, të cilat prej disa ditësh po u bëjnë thirrje ambasadorëve të mos heshtin.

“Pa asnjë diskutim nuk duhet t’i shmnaget jo vetëm politika, por edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë të interesuar për të ardhmen e Shqipërisë si një vend europian, si një vend që bazohet tek shteti ligjor. Dhe në këtë drejtim, është mjaft e rëndësishme që të vendoset në mënyrë të përgjegjshme, transparente se si do të sillemi në të ardhmen me këtë fenomen”, tha Meta.

Në takimin që pasoi me strukturat, numri dy i koalicionit qeveritar e konsideroi të pamjaftueshëm për luftën kundër kanabisit qëndrimin akuzues mes palëve se kanabisi është mbjellë në çdo kohë. Sipas Ilir Metës, kjo që po ndodh është një përgjegjësi e të gjithëve dhe si e tillë duhet diskutuar. Por, ministri i Brendshëm duket se ndan me kreun e Kuvendit vetëm pjesën parimore, se kanabisi nuk luftohet duke shmangur të vërtetën: “Kush bën sot sikur çuditet, i shmanget qëllimisht të vërtetës se kanabisi ishte një fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga sytë e publikut deri në vitin 2013 nga një qeveri dhe polici që mjaftohej me komunikata sekrete për rrënjët anembanë Shqipërisë dhe garantonte fitime marramendëse të Republikes së Lazaratit”.

Në reagimin e tij, ministri i Brendshëm prek edhe çështjen e reagimit të ndërkombëtarëve: “Ilir Meta ka shumë të drejtë se duhen dëgjuar edhe ndërkombëtarët. Kanë folur shumë qartë për vite me radhë, ndaj sot është inkurajim i madh që çdo gërmë e raporteve të Departamentit të Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, të cilat e kanë cilësuar luftën tonë të tanishme shumë qartë “rezultate mbresëlënëse falë lidershipit politik”.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se Guardia di Finanza pritet të vlerësojë Shqipërinë për uljen me 10 herë të sasisë së kultivuar të kanabisit në raport me vitin e kaluar. tch

Aktualitet

Archives