Sot fillojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Në punimet e sivjetëm do të marrin pjesë kryetarët e shteteve dhe qeverive të rreth 135 vendeve të ndryshme të botës.

Liderët botërorë do të takohen për 71-ën herë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork të ShBA-së ku do të diskutojnë për problemet globale.

Pritet që në punimet e asamblesë që do të fillojnë këtë javë të marrin pjesë kryetarët e shteteve dhe qeverive të rreth 135 vendeve të botës.

Në mesin e temave që priten të dalin në pah gjatë javës së diplomacisë së lartë këtë vit janë çështjet e emigrantëve dhe refugjatëve dhe kriza e Sirisë.

Në këtë kuadër sot në Asamblenë e Përgjithshme do të mbahet “Samiti i Emigrantëve dhe Refugjatëve i OKB-së”. Gjatë këtij samiti do të shpjegohen kontributet që do të mund të bëjnë vendet për këtë çështje si dhe do të pranohet “Komunikata e Nju-Jorkut” e përgatitur në lidhje me hapat që duhet të hidhen në këtë drejtim.

Gjatë kësaj jave, ku Turqia do të përfaqësohet me një delegacion të gjerë të kryesuar nga Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), Presidenti i ShBA-së, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Mun, për herë të fundit do të marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së pasi këtë vit mbaron mandati i tyre.

Ndërkaq fjalimet që do të mbahen në kuadër të këtyre punimeve do të fillojnë më 20 shtator ditën e martë. Ditën e parë të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme do t’ju drejtohen liderët e 36 shteteve dhe qeverive në mesin e të cilëve janë edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan, Presidenti o ShBA-së, Barak Obama, Presidenti i Francës, Frasua Olland (François Hollande) dhe Kryeministrja e Anglisë, Tereza Mej (Theresa May).

Fjalimet ku të pjesëmarrësit do ti ndajnë opinionet e tyre në lidhje me problemet globale do të përfundojnë të hënën më 26 shtator.

Një temë tjetër që do të dalë në pah gjatë javës diplomatike do të jetë edhe lufta kundër ndryshimeve klimaterike. Synohet që Marrëveshja e Parisit për Ndryshime Klimaterike, e nënshkruar nga ana e 195 vendeve në prill të këtij viti, të hyjë në fuqi para përfundimit të mandatit të Sekretarit Ban ki-Mun deri në fund të këtij viti.

Përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në OKB, ambasadori Halit Çevik tha se Samiti i Emigrantëve dhe Refugjatëve i OKB-së është shumë i rëndësishëm nga aspekti i vazhdimit të Samitit Humanitar Global të mbajtur në Turqi.

Duke e bërë të ditur se Turqia në kuadër të bisedimeve në OKB do të kontribuoj me punimet e saj për shumë tema si ajo e refugjatëve, rendin e ditës të zhvillimit, sigurimin e përfshirjes në zhvillim, zgjedhjen e sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB-së, ambasadori Çevik tha: “Turqia është në bashkëpunim të ngushtë me OKB-në jo vetën në çështjet politike, por për të gjitha çështjet tjera. Ne kontribuojmë në të gjitha punimet që kryhen këtu”.

Aktualitet

Archives