Ku është Ballkani?

Ballkani gjatë historisë njihet si zona më problematike e kontinentit të Evropës ndërsa ndryshe emërohet edhe si “Fuçi baroti”.

Në vetëdijen e vendeve perëndimore Ballkani zakonisht njihet për luftime, dhunë dhe ashpërsi. Gjithashtu fjala Ballkan, përveç të qenit emër i një zone gjeografike, ajo përdoret duke iu referuar një identiteti të posaçëm politik e kulturor. Ndërkaq vendet e Ballkanit mohojnë ekzistencën e një identiteti të veçantë ballkanik dhe bëjnë përpjekje që veten ta tregojnë si pjesë e botës perëndimore dhe të qytetërimit perëndimor.

Deri në fillim të shekullit të 19-të, territori i Ballkanit nuk kishte një emërtim të përbashkët dhe njihej me emra të ndryshëm. Për herë të parë në vitin 1809 gjeografi gjerman, August Johann Zeune frymëzohet nga malet e Ballkanit, të cilat e ndajnë horizontalisht Bullgarinë dhe këtë rajon e quan Ballkan. Pas kësaj fjala Ballkan filloi të përdoret si emri i një rajoni. Megjithatë edhe sot ende nuk është qartësuar çështja e kufijve të këtij rajoni. Me fjalë të tjera ende nuk është arritur në konsensus mes shkrimtarëve të ndryshëm në lidhje me çështjen se cilat vende përfshihen në konceptin e Ballkanit. Mirëpo paqartësia e kufijve të rajonit të Ballkanit nuk është problem. Problemi qëndron tek paragjykimi që vjen së bashku me nivelin e një identiteti   të veçantë politik dhe kulturor të fjalës Ballkan.

Perceptimi i Ballkanit në vendet perëndimore përmban mjaftë elemente negative. Para së gjithash është i përhapur paragjykimi se Ballkani nuk është pjesë e qytetërimit perëndimor. Jo vetëm osmanlinjtë, por edhe bizantinët perceptoheshin si “të tjetër” e Evropës për shkak të elementeve kulturore dhe fetare. Udhëtarët perëndimor, të cilët vizituan Ballkanin në shekullin e 19-të, në udhëpërshkrimet e tyre këtë rajon e përshkruajnë si të ndryshëm, të çuditshëm dhe të pacivilizuar. Në anën tjetër një pjesë e rëndësishme e literaturës në lidhje me Ballkanin në vendet perëndimore u shkruan gjatë kohës kur në rajon u jetuan krizat të ndryshme. Për këtë arsye perëndimorët Ballkanin vazhdojnë ta kujtojnë si një rajon ku vazhdimisht ka mbetur gjallë urrejtja etnike e para shumë shekujve, gjithashtu si një rajon i prapambetur nga aspekti ekonomik, kulturor dhe politik dhe si një rajon që kërcënon sigurinë e Evropës. Madje rajoni i Ballkanit tregohet si një element kërcënimi edhe në romanet dhe filmat perëndimor.

Vet fjala “Ballkanizim”, që u shpik së bashku me Luftërat e Ballkanit në vitet 1912-1913, tregon se Ballkani perceptohet si një rajon problematik. Ndërkaq gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, rajoni i Ballkanit u perceptua si një rajon totalitar dhe komunist që qëndron përballë perëndimit demokratik dhe kapitalist. Ndërkaq luftërat që u jetuan në territoret e ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta bëri që fjala “Ballkanizim” të popullarizohet sërish dhe të gjallërohen paragjykimet në lidhje me rajonin. Sipas historianes së Ballkanit, Marija Todorova, shprehja “Ballkanizim” ashtu siç theksonte shpërbërjen e vendeve të mëdha, ashtu nënkuptonte edhe gjendjen e prapambetur dhe një mënyrë jetese të bazuar në primitivizëm dhe barbarizëm.

Ndërkohë që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian gjatë viteve të 90-ta vazhdonte në drejtim të Evropës Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin as në fund të listës së vendeve kandidate për anëtarësim në BE. Të gjitha këto pothuajse nxitën një ikje nga identiteti ballkanik. Ata që mbanin këtë identitet u neglizhuan brenda Bashkimit Evropian. Më e çuditshmja është se disa vende të rajonit vunë theksin në “evropianizmin” e tyre ndërsa vazhduan ti akuzojnë vendet fqinje për “ballkanizëm”. Për shembull Sllovenia gjatë kohës deri sa zhvillonte procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian jepte mesazhe se “Unë jam evropian, ndërsa Kroacia jo”. Retorika të ngjashme zhvilloi edhe Kroacia ndaj Serbisë, ndërsa kjo e fundit ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Edhe pse Kroacia sot është anëtare e plotë e BE-së ajo duke vënë theksin në elementet kulturore dhe historike vazhdon të mbrojë qëndrimin se nuk është vend ballkanik. Në mënyrë të ngjashme edhe Rumania dhe Sllovenia refuzojnë të identifikohen si vendet e Ballkanit. Ndërkaq pas periudhës së viteve të 90-ta disa popuj të Ballkanit pothuajse kanë zhvilluar një historiografi të re për të shpëtuar nga identiteti ballkanik. Në këtë kuadër u bënë përpjekje që historinë e zhvillimit të identitetit kombëtar të tyre ta ndajnë nga historia e zhvillimit të identitetit të fqinjit, i cili perceptohet si ballkanas.

Ndërkaq kur bëhet fjalë për turqit, shkrimi i historisë në Ballkan bëhet edhe më problematik. Pasi që vendet e Ballkanit pavarësinë e tyre nga Perandoria Osmane e fituan me kryengritje, identitetin e tyre kombëtare e zhvilluan duke përfshirë gjykimet negative kundër vlerave të Perandorisë Osmane. Për këtë arsye nacionalistët e vendeve të Ballkanit edhe në ditët e sotme vazhdojnë të akuzojnë në mënyrë të pabazë periudhën osmane për të gjitha gabimet dhe fatkeqësitë e jetuara.

Autor: Dr. Erhan Turbedar

Aktualitet

Archives