“100 vjet parlament shqiptar”, bursa për studentët më të mirë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua sot me rektorët e universiteteve të vendit për të bërë një bilanc të bashkëpunimit Kuvend – universitete.

Takimi u zhvillua në kuadrin e marrëveshjeve të nënshkruara një vit më parë, për të biseduar mbi disa nga nevojat në prag të vitit të ri akademik, mbi disa çështje të perspektivës së universiteteve, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor si edhe për programin e veprimtarive për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar.

Kuvendi i Shqipërisë dhe 24 universitete e institucione kërkimore, 12 publike dhe 12 jopublike, në tetor-nëntor të vitit 2018, nënshkruan Marrëveshjet e Bashkëpunimit.

Ruçi tha se “këto marrëveshje kanë për qëllim promovimin e punës kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare; rritjen e njohjes dhe kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin; përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë; mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë”.

“Një vit pas nisjes së këtij bashkëpunimi institucional, kontributi i universiteteve, akademikëve dhe studiuesve në procesin e hartimit të ligjeve është rritur. Ky kontribut ka përmirësuar edhe cilësinë e akteve ligjore të miratuara në Kuvend. Kontributi i universiteteve, nëpërmjet bashkëpunimit me komisionet parlamentare, sidomos me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, është rritur edhe në ushtrimin e kontrollit parlamentar. Janë organizuar seanca dëgjimore me përfaqësues të universiteteve e institucioneve kërkimore, rektorë, drejtues të asambleve të fakulteteve, të zgjedhur të këshillit studentor etj.”, – tha ai.

Më tej Ruçi shtoi se “në kuadër të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit për periudhën dhjetor 2018–shtator 2019, kryen praktika mësimore pranë Kuvendit 90 studentë, ndër të cilët 60 nga universitete publike dhe 30 studentë nga universitete jopublike.Disa nga detyrimet e shtetit ndaj universiteteve, si për shembull, rritja e financimeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk janë plotësuar në nivelin e duhur për shkak të burimeve të kufizuara financiare. Por disa të tjera, si për shembull, vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore në mbështetje të ligjeve të miratuara nga Kuvendi, kërkojnë më shumë vëmendje e produktivitet të disa ministrive e institucioneve. Por pozitive është që Qeveria po tregon një ndjeshmëri shumë më të lartë në çështjet e arsimit të lartë, universiteteve, kërkimit shkencor dhe nevojave të studentëve”.

Për të kremtuar 100 vjetorin e parlamentit të parë shqiptar, Byroja e Kuvendit ka miratuar një program veprimtarish, për një pjesë të të cilave Kuvendi ka kërkuar edhe bashkëpunimin e universiteteve. Një ndër aktivitetet do të jetë akordimi i bursave “100 vjet Parlament shqiptar” disa studentëve më të mirë të universiteteve publike e private.

Në këtë kontekst, Ruçi, u bëri thirrje universiteteve që një pjesë e fondeve që ju kanë menduar të programoni për këto qëllime, të përfshihen në këtë aktivitet të programit të Kuvendit.

Rektorët vlerësoi mbështetjen nga Kuvendi për të kontribuar në hartimin e legjislacionit për thellimin e reformave, sidomos Reformës në Drejtësi, si dhe ishin të një mendimi se ka ardhur koha që universitetet duhet të rifillojnë studimet e ciklit të tretë, të shkollës së doktoraturës.

Në fund të takimit, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se “Kuvendi po dëgjon dhe do të dëgjojë njerëzit më të mençur të kombit”. “Ky bashkëpunim do të realizohet përditë dhe në vijimësi. Kontributi i universiteteve dhe akademikëve është i mirëpritur si për procesin ligjbërës, ashtu edhe për kontrollin parlamentar dhe monitorimin e institucioneve të pavarura”, – tha ai.

Aktualitet

Archives