Holanda kundër hapjes së negociatave në BE, por nuk shprehet qartë nëse do të vendosë veto

10 ditë para vendimit të Këshillit Europian për negociatat e Shqipërisë me BE-në,  Holanda duket se nuk e mbështet nisjen e bisedimeve mes Tiranës dhe Brukselit. Por gjatë një seance pyetjesh ne komisionin e jashtëm të parlamentit holandez, ministri i Jashtëm Stef Blok shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për veton ndaj Shqipërisë.

Qeveria holandeze konsideron se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.  Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok e bëri këtë deklaratë në komisionin parlamentar për çështjet europiane të Parlamentit holandez, i pyetur nga deputetë holandezë, nëse duhen hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë ose jo.

Por ende nuk ka një “jo” të prerë nga ky vend. Blok nuk e ka shtjelluar përgjigjen e tij, duke lenë tê paqartë nëse Holanda do të vendosë veton për Shqipërinë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në 15 Tetor apo samitin e liderëve europianë në 18 Tetor.

Ministri shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për veton ndaj Shqipërisë, por ndryshe nga përgjigjja për Maqedoninë, la të kuptohet se Shqipëria nuk është në nivelin e duhur për hapjen e negociatave. Pas pyetjes të tre partive të koalicionit qeveritar nëse mbetet në fuqi mocioni i aprovuar nga 2/3 e deputetëve holandezë për Shqipërinë, ai është shprehur se ky mocion mbetet në fuqi.

Kjo nënkupton, se qeveria holandeze mbështet Parlamentin holandez kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, të aprovuar në Qershor të këtij viti. Menjëherë pas përfundimit të seancës në komisionin e Jashtëm të Parlamentit në Holandë, Ambasada holandeze në Tiranë, përcolli përmes një deklarate për mediat qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme në Holandë.

Në të theksohet se vendet kandidate duhet të përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit. Në datën 15 Tetor, Këshilli i Ministrave do të diskutojë në Luksemburg në lidhje me zgjerimin dhe do të vendosë në mënyrë unanime.

“Holanda, – theksohet në deklaratën e ambasadës së këtij vendi në Tiranë, – po ndjek në mënyrë kritike progresin në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vleresojë secilin vend sipas meritave të veta.

Këshilli ka parashtruar një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Shqipëria përpara hapjes së negociatave.

“Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Holanda mendon se duhet bërë më shumë punë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundon qëndrimi i ambasadës së Holandës në Tiranë. abcnews.al

Aktualitet

Archives