Vuçiq: Serbia vazhdon dialogun me Kosovën nëse hiqet taksa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot në Beograd ish komandantin e Këmbësorisë amerikane për Evropë, gjeneral-nënkolonelin Frederik Ben Hodgins me të cilin ka bashkëbiseduar për situatën e sigurisë në Evropën Juglindore si dhe rreth problemeve me të cilat po përballet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç bëhet e ditur në kumtesën e lëshuar nga presidenca serbe, Vuçiq i ka thënë mysafirit amerikan se Serbia synon të ruaj neutralitetin e saj, dhe se në cilësi të një partneri në programin Partneritet për Paqe, është e gatshme të kontribuojë për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, por edhe të përgjigjet në sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Vuçiq, thuhet më tej në kumtesë, shprehu qëllimin e Serbisë për të vazhduar dialogun me Kosovën, por vetëm pasi Prishtina zyrtare të tërheq “taksën e paligjshme dhe anticivilizuese”.

Gjenerali Hodgins nga ana e tij tha se stabiliteti afatgjat kërkon pajtimin si dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, njëkohësisht shprehu mbështetjen e plotë për përpjekjet për të zgjidhur krizën në mënyrë paqësore, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare si dhe marrëveshjet rajonale të arritura.

Aktualitet

Archives