Vigjilja e Krishtlindjes, Kryepeshkopi Janullatos uron siguri dhe paqe në vitin 2019

 Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, përcolli sot urimin me rastin e festës së Krishtlindjeve, duke uruar që Viti i Ri 2019 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

Në mesazhin e tij, mes të tjerash, Janullatos shprehet se “le ta presim Krishtlindjen me besë dhe dashuri të rigjallëruar. Le ta lartësojmë në mënyrë adhuruese mendjen dhe zemrën tonë, duke kundruar Fytyrën e Krishtit të Dashur. Dhe njëkohësisht, le të punojmë për Ta njohur Atë edhe njerëz të tjerë, afër dhe larg nesh”.

“Krishti ofron antidotin e efektshëm kundër shqetësimit që krijon virusi i pasigurisë. Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, thuhet në urimin e Janullatos.

Kryepeshkopi Janullatos thotë se “e kremtja e Krishtlindjes vjen që të na ofrojë antidotin e efektshëm kundër virusit të pasigurisë, të rigjallërojë në mendjen dhe në ndërgjegjen tonë një të vërtetë që shpesh harrohet se “Perëndia është me ne”. Pikërisht ky është kuptimi i emrit të Shpëtimtarit që po vjen: “Emanuel”. Fjala e Perëndisë “u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14)”.

Janullatos thekson se “një pasiguri e përgjithshme, si re pluhuri bërthamor, është përhapur në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje. Shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Njerëzit synojnë të fitojnë siguri me mënyra të shumëllojta”.

“Lartësimi shpirtëror më Krishtin nuk kryhet automatikisht. Fillimisht, ka si kusht paraprak pasjen e besimit. Dhe e kremtja e Krishtlindjes kërkon të na zgjojë për ta pranuar personalisht Jezu Krishtin, si Shpëtimtar, si Udhërrëfyes, si Frymëzues të mendimeve, të ndjenjave, të vendimeve dhe të veprimeve tona”, – tha Janullatos.

“Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, uroi Janullatos. ATA

Aktualitet

Archives