Udhëheqësit e rajonit nënshkruajnë në Librat e Ngushëllimeve për Türkiyen

Vendet e Rajonit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për Republikën e Türkiyes pas dy tërmeteve të forta që tronditën Türkiyen jugore duke nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve në ambasadat përkatëse.

Në Librin e Ngushëllimeve në Tiranë shprehu ngushëllimet presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Sot i shpreha ngushëllimet e mia Ambasadës së Republikës së Türkiyes në Tiranë për shkatërrimin dhe humbjen e paprecedentë të shkaktuar nga tërmeti. Lutemi për shërimin e shpejtë fizik dhe shpirtëror të çdo familjeje të prekur nga kjo tragjedi”, ka shkruar Begaj në rrjetin social Twitter.

Mesazhin ngushëllues nëpërmjet Librit të Ngushëllimeve në Maqedoninë e Veriut e ka përcjellë ministri i punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

“Nënshkrova Librin e Ngushëllimeve në Ambasadën e Türkiyes në Shkup, ku shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë popullin turk. Ne mbetemi të bashkuar në përpjekjet për të ofruar ndihmë dhe mbështetje”, kështu ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndërkohë, anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq nënshkroi librin e zisë në Ambasadën e Republikës së Türkiyes në Sarajevë.

Me këtë rast, Beqiroviq u takua me ambasadorin e Republikës së Türkiyes në Bosnjë e Hercegovinë, Sadik Babur Girgin, të cilit i shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin në emër të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës dhe në emër të tij.

Beqiroviq theksoi se mendimet dhe zemrat e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës janë me viktimat dhe familjet që humbën të dashurit e tyre, si dhe me popullin vëllazëror të Republikës së Türkiyes.

Po ashtu, edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç nënshkroi librin e zisë në Ambasadën e Republikës së Türkiyes në Zagreb.

Kryeministri kroat mirëpriti ambasadorin turk Yavuz Selim Kiran me kolegët e tij në ndërtesën e ambasadës.

Gjithashtu, edhe në Kosovë dhe Serbi ambasada e Türkiyes ka hapur Librin e Ngushëllimeve.

Aktualitet

Archives