U shpall “non grata” nga SHBA/ Reagon Berisha: Pa asnjë bazë konkrete,

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot në lidhje me shpalljen “non grata” nga SHBA.

Në reagimin e tij, Berisha shprehet: “Zoti Sekretar Antony Bliken! Nga mediet u njoha me vendimin tuaj të shpallur në Twitter për të ndaluar hyrjen time në SHBA. Lidhur me këtë vendim dua të shpreh sa vijon. Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni. Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër”.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi. Gjithashtu gjykoj se një ndër faktorët më kryesorë që qeveria që unë kam drejtuar arriti të anëtarësojë Shqipërinë në NATO, të firmosë Marrëveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe liberalizojë vizat me Bashkimin Europian, të arrijë nivelin e pragut të MCAC, dhe të tërheqë investime madhore, por edhe të shënojë kulme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, ka qenë lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e dokumentuar kjo dhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA”, vijon reagimin e tij Berisha.

“Gjatë 30 viteve në politike unë kam patur në SHBA, dhe kam më shumë se në çdo vend tjetër, miq të mëdhenj, me të cilët ndihem gjithnjë krenar. Mirënjohja ime mbetet e pakufishme për gjithçka vendi i juaj i madh ka bërë për lirinë e kombit tim. Po kështu jam përpjekur dhe nuk kam nguruar kurrë të marr çdo vendim në interes të përbashkët midis dy vendeve. Dua të theksoj se vendimi juaj nuk mund të lëkundë kurrë admirimin tim për vendin, kombin e madh e mik amerikan dhe miqtë e mi në SHBA. Zoti sekretar! Unë kam 8 vite që kam dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues dhe jam larguar nga pushteti por kam qëndruar i vendosur në mbrojtjen e interesit publik dhe kombëtar të shqiptarëve, ashtu siç i vlerësoj unë ato. Unë kam denoncuar me shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e të gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë. Unë gjithashtu kam denoncuar në mediet shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliarderin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim. Përveç kësaj kam denoncuar i pari dhe me forcën më të madhe, publikisht dhe vetëm publikisht, projektin e ndryshimit të Kufijve të Kosovës, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar. Së fundi, duke mos pretenduar kurrë se unë jam i pagabueshëm, duhet t’ju garantoj se unë ndjehem krenar me të gjitha qëndrimet e mia dhe ju siguroj se ato kanë qenë dhe do të jenë të motivuara vetëm nga interesi publik dhe kombëtar i kombit shqiptar dhe e vërteta, të cilat unë i kam mbrojtur njëlloj si sot edhe në kohën kur të rinjtë shqiptare ekzekutoheshin në kufi për realizimin e ëndrrës tyre amerikane. Sinqerisht Sali Berisha”, shprehet ai. ata

Aktualitet

Archives