Turqia ndihmon Mozambikun pas ciklonit shkatërrues

Gjysmëhënia e Kuqe e Turqisë (Kızılay) dërgoi 15 ton ndihma në Mozambik pas ciklonit i cili goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmat, që përbëhen nga ushqime dhe materiale higjienike, së bashku me artikuj nga agjenci të tjera humanitare, do të arrijnë në kontejnerë përmes rrugëve detare deri në Beira, zonën më të goditur nga cikloni Idai, tha për AA Recep Bora Atlıhan, zyrtari i Gjysmëhënës së Kuqe në kryeqytetin e vendit Maputo.

“Po planifikojmë të dërgojmë 15 tonë ndihma humanitare, ushqime të shpejta dhe furnizime për pastrim, në një dërgesë fillestare që pritet të arrijë deri në portin Beira deri të hënën”, tha Atlıhan.

Atlıhan gjithashtu theksoi se aktivitetet humanitare Kızılay kanë qenë të shpejta në rajon.

“Po përpiqemi të shtrijmë një dorë të ndihmës nga vendi ynë për njerëzit në nevojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm”, tha ai.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) gjithashtu dërgoi pako higjienike dhe ushqimore në Beira nga të cilat do të përfitojnë 600 familje për dhjetë ditë.

TIKA punon për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve, tha koordinatori i programit të agjencisë në Maputo Ömer Faruk Mergen për AA, duke shtuar se paketat humanitare do të dorëzohen në anijen e parë që niset nga kryeqyteti i Mozambikut.

Duke vënë në dukje se ndarja e ndihmave do të organizohet nga ekipi TIKA-s, Mergen tha se “është e pamundur të shkohet në Beira përmes rrugëve tokësore”.

Cikloni Idai shkaktoi dëme masive në gjithë Afrikën jugore pesë ditë pasi goditi Mozambikun, duke shkaktuar emergjencë të madhe humanitare.

OKB tha që nga e premtja, të paktën 242 njerëz janë konfirmuar të vdekur pas ciklonit dhe shumë zona ende mbesin të përmbytura. Megjithatë, presidenti i Mozambikut Filipe Nyusi ka thënë se beson se numri i të vdekurve mund të arrijë të paktën në 1.000.

Sipas OKB-së, shumë zona në Mozambik kanë mbetur pa energji elektrike dhe pothuajse të gjitha rrjetet janë dëmtuar rëndë.

Aktualitet

Archives