Thaçi: Jemi në Shqipëri për të treguar solidaritetin tonë të plotë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u solidarizuar me familjet e viktimave të tërmetit në Shqipëri, ka vizituar Njësinë Administrative Thumanë në Qarkun Durrës, ndërsa në momentin kur ai po jepte deklaratë për mediat, u shkaktua panik si pasojë e tërmetit tjetër të fuqishëm që sot pasdite goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi ka takuar banorët e prekur nga tërmeti të vendosur në çadra, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në një prononcim për mediat, Thaçi tha se sot Kosova është në ditë zie.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të institucioneve të shtetit të Kosovës, të popullit të Kosovës, për institucionet e Shqipërisë. Ngushëllime gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit. Ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve, ndërsa për ata që janë ende nën gërmadha do të punojmë maksimalisht”, theksoi Thaçi.

Presidenti i Kosovës u shpreh më tej se “Sot jemi këtu për të treguar solidaritetin tonë të plotë. Ndihem shumë krenar me punën që kanë bërë gratë dhe burrat e Kosovës, ushtarët që kanë ardhur që në mëngjes. Sot Kosova është në ditë zie, Shqipëria është në zi. Edhe në ditë të mira, edhe në ditë liga kemi qenë të bashkuar dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar. Çdo dhimbje e Shqipërisë është dhimbje për Kosovën”.

“Dëshiroj të kujtoj solidaritetin që kanë treguar qytetarët e Shqipërisë në vitet 98-99, me qytetarët e Kosovës në kohën e gjenocidit, ndërsa sot mund të konfirmoj se çdo familje kosovare ka derën hapur për çdo familje nga Shqipëria në nevojë”, tha Thaçi.

Ndërkohë, teksa Thaçi po prononcohej para mediave, ndodhi tërmeti tjetër i fortë me magnitudë prej 5,6 ballësh me epiqendër në Adriatik, duke shkaktuar panik.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar se numri i viktimave është rritur në 28, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale.

Aktualitet

Archives