Tetë vende ikonike për të vizituar në Tiranë

Blogerja britanike Emily përshkruan me imtësi në blogun e saj “London City Calling” disa prej destinacioneve që duhen vizituar patjetër në Tiranë.

Pazari i Ri

Pazari i ri është një prej atraksioneve më të reja të Tiranës dhe padyshim që është një nga vendet më tërheqëse për t’u vizituar në Tiranë. Ky është një shembull perfekt i mënyrës së zhvillimit që po merr Shqipëria dhe që po ndryshon në mënyrë drastike vitet e fundit.

Pazari ndodhet në Sheshin Avni Rustemi, më pak se 10 minuta ecje nga qendra në pjesën më të vjetër të qytetit. Më parë sheshi menaxhohej dhe priste shumë shitës që tregtonin të mirat e tyre në mënyrë të pakoordinuar dhe kaotike, deri në rinovimin e kësaj zone në vitin 2017.

Tani Pazari i Ri ka sjellë një stil të ri jetese, me fasada shumëngjyrëshe, shumë restorante të lezeçme dhe kafene që rrethojnë qendrën moderne të tregut. Aty brenda mund të bleni çdo gjë, nga frutat e freskëta dhe perimet deri tek produktet tradicionale shqiptare.

Bëni një shëtitje përreth tregut dhe uluni përjashta në një prej kafeneve për të pirë një kafe në një cep ku keni pamje. Kjo është mënyra perfekte për të filluar një ditë për eksplorimin e Tiranës!

Sheshi Skënderbe

Sheshi Skënderbe është sheshi më i madhë, ndodhet në qendër të Tiranës dhe pret shumë godina ikonike dhe pika interesante.

Mund të mësoni për historinë interesante të Shqipërisë në Muzeun Kombëtar të Historisë, mund të shihni një shfaqje në Operan Kombëtare, vizitoni Pallatin e Kulturës, të vëzhgoni Monumentin e Skënderbeut, Kullën e Sahatit ose admironi Xhaminë e Etham Beut.

Shumë prej vendeve kryesore për t’u vizituar në Tiranë ndodhen në këtë shesh, kështu që sigurohuni që të keni mjaftueshëm kohë për ta eksploruar!

Ajo që personat nuk arrijnë të kuptojnë është se mozaiku i pllakave që mbulon 28 000 metër katrorë të Sheshit Skënderbe ka një kuptim më të thellë se sa thjesht estetik. Çdo lloji pllake përbëhet nga gurë që vijnë nga male të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, duke sjellë të gjithë vendin në qendër të kryeqytetit. Madje edhe pemët përreth sheshit vijnë nga zona të ndryshme të vendit.

Piramida e Tiranës

Piramida e Tiranës u ndërtua në vitin 1988 për të pritur një muze për jetën e Enver Hoxhës, liderin jetëgjatë të Shqipërisë komuniste dhe ishte dizenjuar nga vajza dhe dhëndri i diktatorit.

Çuditërisht, pas rënies së komunizmit në vitin 1991, muzeu u mbyll dhe godina u përdor si qendër për konferenca dhe shfaqje për shumë vite.

Në vitin 2001 piramida u mbyll krejtësisht dhe që prej asaj periudhe vetëm është rrënuar. Është propozuar që piramida të shëmbet, megjithatë, reagimi i ashpër nga banorët e Tiranës dhe arkitektë të huaj ndaluan që një gjë e tillë të ndodhte.

Në vitin 2018, u publikua një projekt i ri që do e shndërrojë Piramidën në një qendër teknologjike për të rinjtë të fokusuar në programimin kompjuterik, në robotike dhe krijimin e sipërmarrjeve inovative.

Por deri sa të fillojë ky rinovim, ju ende mund të vizitoni piramidën për të admiruar strukturën gjigante dhe të shihni të rinjtë që ngjiten dhe rrëshqasin në pllakat e saj.

Bunk’art dhe Bunk’art2

Kudo të vizitoni Shqipërinë, me shumë mundësi do të vërreni bunkerët e vegjël që mbulojnë çdo pjesë të vendit, që shërbejnë si kujtues të vegjël të së kaluarës së errët të vendit.

Këta u krijuan nga politika e liderit komunist Enver Hoxha për “bunkerizim” ku u ndërtuan më shumë se 750 000 bunkere në të gjithë Shqipërinë gjatë viteve 1960-1980 për të mbrojtur kombin e izoluar nga një luftë që nuk ndodhi kurrë.

Tan shumica e bunkereve nuk përdoren, megjithatë, disa janë kthyer në muze, restorante, bare dhe kafene.

Bunk’art dhe Bunk’art2 janë dy prej këtyre ish-bunkerëve që janë konvertuar në muze të historisë dhe artit. Bunk’art është më i madhi nga të dy dhe ndodhet në periferi të qytetit, ndërsa Bunk’art2 është më i vogël por ndodhet në qendër dhe lehtësisht i arritshëm për ata që kanë më pak kohë për të udhëtuar.

Ky muze ju dërgon në një udhëtim nëpër tunelet sekrete të nëndheshme të bunkerit dhe ju tregon historinë e vendit e dhimbshme të vendit nëpërmjet tregimeve, objekteve dhe fotove. Qëllimi i tij nuk është vetëm për të tërhequr turistë, por gjithashtu për të ndihmuar shqiptarët të pajtohen me të kaluarën e tyre dhe të lëvizin drejt të ardhmes.

Gjatë vizitës së muzeut me miqtë e mi shqiptarë, mund të shihja tek shfaqeshin emocionet ndërkohë që ecnim nëpër labirinthin me dhoma, që arritën kulmin e shfaqjen e disa pika loti për paraardhësit e tyre dhe një lloji lehtësimi ndërkohë që dilnin nga bunkeri në Tiranën e ditëve moderne që po largohet gjithnjë e më shpjetë nga e kaluara e saj e turbullt.

Monumenti i Miqësisë

Monumenti i Miqësisë është një strukturë e mdhe dhe me ngjyra që i është dhuruar Shqipërisë nga Kuvajti për të kujtuar miqësinë e përjetshme dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, ku ngjyrat e tavanit përkojnë me ato të flamurit kuvajtjan.

Megjithatë, gjëja më e bukur e Monumentit të Miqësisë nuk është struktura në vetvete, se sa njerëzit që mblidhen rreth tij. Monumenti krijon hije gjatë verës së nxehtë shqiptare dhe është shndërruar në një pikë takimi për shumë prej qytetarëve të vjetër të qytetit.

Nëse kaloni aty gjatë ditës me shumë mundësi do të shihni një grup të moshuarish që luajnë shah në shkallët e monumentit, ose ndonjë grup grashë që janë duke ngrënë ndonjë kek të sapo gatuar. Monumenti i Miqësisë ku mund të gjesh miqësi të vërtetë dhe të shohësh kulturën shqiptare të vijë në jetë.

Katedralja Ngjallja e Krishtit

Katedralja Ngjallja e Krishtit është një kishë ortodokse autoqefale shqiptare që ndodhet pranë Sheshit Skënderbe. Katedralja është relativisht e re, ajo është hapur në vitin 2012 dhe është kisha e tretë më e madhe në Europë.

Pamja e saj madhështore si jashtë edhe brenda vlen të vizitohet nëse jeni në këtë pjesë të qytetit, mbi të gjitha tani që muret e brendshme janë duke u dekoruar me murale të mëdha me skena fetare.

Parku Rinia

Parku rinia është parku qendror publik i Tiranës dhe mbulon një zonë prej rreth 30 hektarësh pranë Sheshit Skënderbe. Një zonë që dikur ka qenë shumë keq e menaxhuar dhe plotë me godine dhe aktivitete të jashtligjshme, Parku Rinia u pastrua në vitin 2000 dhe tani është një park i bukur familjar plotë me pemë  dhe skulptura artistike.

Një copë e tillë arti është edhe statuja “I Love Tirana” që është pa dyshim mes vendeve më popullor që vizitohet në Tiranë nga turistët dhe ata që kërkojnë foton e radhës për në Instagram!

Në perëndim të parkut ndodhet godina gjigante Tajvan, një kompleks me restorante dhe aktivitete të tjera argëtuese si bouling. Merr një akullore dhe ulu pranë shatërvanit për t’u freskuar.

Blloku dhe Sky Tower

Zona e Bllokut është rreth 10 minuta nga qendra e qytetit dhe së fundmi është bërë zona më e gjallë dhe e shtrenjtë e Tiranës, si dhe një prej zonave më popullore për të vizituar në Tiranë si turist.

Gjatë epokës komuniste, Blloku ka qenë një zonë rezidenciale e kufizuar vetëm për anëtarët e komitetit ekzekutiv të partisë komuniste. Megjithatë, pas rënies së komunizmit, shumë prej zhvillimeve të fundit e kthyen Bllokun në vendin popullor dhe tërheqës që është aktualisht.

Tani mund të gjeni disa prej restoranteve, kafeneve, bareve dhe klubeve më moderne përgjatë rrugëve të Bllokut, të mbushur me rininë dhe elitën e qytetit që shëtisin aty ditë e natë.Në Bllok ndodhet gjithashtu “Sky Tower” si dhe në katin e 17-të ndodhet “SKY CLUB” një bar dhe restorant panoramik. Hpni me ashensor në majë dhe uluni përjashta për një koktejl në një ditë me diell, ose qëndroni brenda restorantit dhe shijoni pamjen panoramike duke e shoqëruar me një drekë të shijshme. Madje “Sky Tower” është gjithashtu një hotel nëse dëshironi të qëndroni në lagjen e Bllokut. (Përktheu Gent Sinani). ata

Aktualitet

Archives