Konferencë ndërkombëtare për sfidat e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm

Konferenca ndërkombëtare për fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm ka mbledhur të hënën në Tiranë zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme, të cilët kanë diskutuar për sfidat e luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit dhe bashkëpunimin për këtë çështje, bën të ditur Agjencia Anadolli (AA).

Pjesë e aktivitetit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, Princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad, si dhe zyrtarë nga OSBE-ja dhe organizata të tjera.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha në fjalën e tij se janë mbledhur në këtë konferencë për një çështje të ndjeshme, sipas tij, me një rëndësi strategjike.

“Në Shqipëri, toleranca fetare është një thesar i vërtetë, siç ka thënë edhe Papa Françesku, është vëllazëri. Ne jemi të vetëdijshëm që ky është një thesar që duhet ta mbrojmë, por në të njëjtën kohë edhe të trajtojmë nevojën që kemi në lidhje me brezat e ardhshëm, në mënyrë që ata të jenë të ndërgjegjshëm për këtë thesar fantastik që kemi”, u shpreh Rama.

Duke folur për ekstremizmin, Rama tha se të gjitha vendet duhet të përballen me nevojën për të mbrojtur parimet dhe vlerat e jetës.

“Ne kemi pasur sfidat tona të ndryshme, me të cilat vende të ndryshme përballen në shkallë dhe nivele të ndryshme. Por, në të njëjtën kohë, unë besoj se kemi një mirëkuptim të përbashkët, që pavarësisht sfidës së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe mënyrës se si ai është shfaqur dhe se si përballemi, të gjitha vendet duhet të përballemi gjithashtu me nevojën për të mbrojtur parimet dhe vlerat e jetës që kemi zgjedhur”, deklaroi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se përpjekjet për një koalicion të përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm po fitojnë gjithmonë e më tepër vëmendje dhe rajoni është i interesuar të bëhet pjesë e tij.

“Terroristët nuk janë islamikë, por terroristë, por ideja e arritjes së synimeve të tyre është të përdorin rrjetet islame për agjendën e tyre. Ata abuzojnë me rrjetin islamik dhe kanë financuar dhe krijuar disa nga njerëzit e tyre brenda komuniteteve dhe rrjeteve tona islamike në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera. Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit dhe terrorizmit. Ne, si një vend i vogël, kemi pasur një rrjet të qytetarëve që janë drejtuar drejt luftës”, tha Haradinaj.

“Ndërgjegjësimi në Kosovë tashmë është i lartë dhe të gjithë e kuptojnë kërcënimin dhe rrezikun nga terrorizmi”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Ndërsa Princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad, tha se problemet e mëdha janë vetëm probleme të vogla që mblidhen bashkë me njëri-tjetrin.

“Në Jordani, kemi një histori të gjatë për sa i përket harmonisë ndërfetare, kemi filluar shumë nisma dhe dua të them diçka. Sfida është ideologjike dhe është brenda përbrenda Islamit dhe nuk mund të zgjidhet duke zbatuar zgjidhje nga jashtë Islamit. Jordania ka qenë aktive në ofrimin e narrativës origjinale të bazuar në Kuran për të gjithë miqtë që janë përfshirë në këtë program. Ne kemi disa programe të tjera të rëndësishme me trajtimin e atyre që kthehen nga Siria dhe Iraku dhe është një çështje kritike edhe për ne”, theksoi princi jordanez.

Ndërkohë, në panel mbajti një fjalë edhe Kryeministri bullgar, Boyko Borisov, që tha se në Ballkan me rëndësi të madhe është që të gjithë të pranohen si të barabartë dhe se toleranca etnike është i vetmi ilaç për Ballkanin.

Konferenca u organizua në kuadër të takimeve “Aqaba Meeting”, iniciativë me qëllim koordinimin e nismave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Aktualitet

Archives