“Stop mos zbatimittë masave antiCOVID”/Brataj: Pasojat do t’i vuajmë të gjithë e për një kohë të gjatë

Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat antiCovid, pasi manifestimet pa maska dhe takimet elektorale janë rrezik për përhapjen e virusit.

“Stop mosrespektimit të masave. Masat në këtë moment, nuk po respektohen mjaftueshëm! Është thënë disa herë që do të vlerësohet efikasiteti i tyre herë pas here. Tani po përballemi me efektin e hapjes së shkollave! Ditët e fundit është trefishuar numri i thirrjeve për ndihmë mjekësore drejt 127, po ashtu numri i vizitave në banesë për të sëmurë me COVID-19”, shprehet Brataj.

Brataj thekson se është rritur numri i pacientëve drejt spitaleve.

“Manifestimet pa maska të ditëve të fundit, takimet zgjedhore pa respektim të distancimit fizik, janë burim i sigurt i shpërndarjes së infeksionit. Rritja në vazhdim e numrit të të infektuarve në ditët e fundit është rezultat i hapjes së shkollave, mosrespektimit të masave të tjera, qëndrimi në lokale pa maska ku nuk ruhet distancimi fizik. Respektimi i masave është shumë i domosdoshëm në këtë moment të pandemisë! Vetëm institucionet nuk mund t’ia dalin pa ndihmën e qytetarëve, pa bashkëpunimin tuaj”, apelon Brataj.

Brataj në apelin e tij thekson se pasojat e mosrespektimit të masave do t’i vuajmë të gjithë për një kohë të gjatë.

“Kujdes! Virusi nuk njeh kthim mbrapa. Ai dëmton, ai nuk mban radhë, ai nuk njeh moshë, ai merr jetë, ai jeton vetëm në qelizat humane, ai jeton vetëm në trupin tonë. Ndalojeni të hyjë në trupin tuaj, respektoni rregullat e higjienës, ruani distancimin fizik, mbani maskën në të gjitha ambientet! Ndoshta shumë njerëz nuk e mendojnë si e mendoj unë, ndoshta nuk janë dakord me masat, por detyra ime është të informoj qytetarët, është të shpëtoj jetën e njerëzve! Ndoshta do më shani sot! Nuk ka rëndësi. Shëndeti juaj është i pari, shëndeti i shqiptarëve është i pari. E rëndësishme është të veprohet tani, sot, menjëherë! Përndryshe pasojat do t’i vuajmë të gjithë dhe për një kohë të gjatë! Ruani veten, ruani familjen, ruani shoqërinë, ruani jetën! Vetëm së bashku mund t’ia dalim”, përfundon apelin e tij Brataj. ata

Aktualitet

Archives