Stevo Pendarovski fillon mandatin si President i Maqedonisë së Veriut

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është zhvilluar seanca solemne e inaugurimit të presidentit të ri të shtetit, Stevo Pendarovski, me çka edhe zyrtarisht filloi mandatin e tij pesëvjeçar, raporton Anadolu Agency (AA).

Pendarovski dha betimin solemn, si dhe mbajti fjalim në të cilin u zotua se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh nëse e kanë votuar ose jo në zgjedhjet presidenciale.

“Është koha që t’i shërojmë plagët e hapura prej të kaluarës sonë të afërt dhe realisht ta fillojmë pajtimin qytetar pasi nuk kemi një atdhe tjetër rezervë të cilin mund ta quajmë shtëpia jonë. Në këtë rrugë duhet të angazhohem pa rezervë, duke mos mbajtur llogari për rejtingun tim politik”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se puna e parë që do të bëjë si President i Maqedonisë së Veriut, është t’ia zgjasë dorën e pajtimit opozitës, ndërsa theksoi se do të angazhohet maksimalisht për integrimet euroatlantike.

Në inaugurimin e Pendarovskit kanë qenë prezent liderë të shteteve të rajonit dhe përfaqësues të lartë shtetëror, duke përfshirë presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta; presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi; presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev; presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq; zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, Faruk Kaymakcı; ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Katrugallos; ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq; zv/ministri i Jashtëm i Polonisë, Maciej Lang, përfaqësuesi i kabinetit të Presidentit të Sllovenisë; si dhe diplomatë dhe përfaqësues të shumtë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Pas betimit solemn dhe fjalimit të Pendarovskit, është mbajtur edhe një pritje solemne dhe koktej në hapësirat e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Më pas, në kabinetin e presidentit “Vila Vodno”, është mbajtur ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.

Aktualitet

Archives