Shqipëria, vendi i parë në rajon me fond të posaçëm për politikat gjinore

Mbi 4500 raste dhune në familje janë raportuar gjatë vitit të fundit.

Këto shifra janë bërë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në cilësinë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, të mbledhur sot në takimin e parë për këtë vit.

Ministrja deklaroi se shifrat tregojnë nevojën për të përshpejtuar ndryshimet e propozuara në ligjin ‘Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare’, për t’u dhënë mundësi grave të dhunuara të marrin sa më parë mbrojtjen nga strukturat shtetërore”.

Sipas Manastirliut, janë bërë hapa domethënës përpara, të vlerësuar ndërkombëtarisht, sa i takon barazisë gjinore.

“Ne jemi vendi i parë në rajon, që ka përfshirë buxhetimin gjinor, si fond i posaçëm për të nxitur politikat me bazë gjinore në buxhetin e shtetit. Kështu, në buxhetin e vitit 2017, u parashikuan rreth 15 miliardë lekë, ose 90.1 milion USD, për të mbështetur këto politika. Kjo shifër përbën rreth 2.3% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Ne besojmë se punësimi është forma më e mirë për fuqizimin e gruas dhe ne kemi shënuar hapa përpara në këtë drejtim. Kështu, në fund të vitit 2017, nga të gjitha zyrat e punësimit rezultojnë të ndërmjetësuar për punë 23 136 persona, nga të cilët, mbi gjysma (50.5 %) janë gra dhe vajza, duke e ulur hendekun gjinor me 2%. Nga zbatimi i programeve të nxitjes së punësimit janë punësuar mbi 5200 punëkërkues të papunë, nga të cilët 62% janë gra dhe vajza”, theksoi ajo.

Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore është një strukturë e ngritur nga qeveria shqiptare për të koordinuar më mirë punën ndërmjet institucioneve, për të çuar përpara politikat dhe nismat konkrete në funksion të përmirësimit të pozicionit të grave në shoqëri, për të ulur hendekun e pabarazisë gjinore. ata

Aktualitet

Archives