Shqipëria i bashkohet fushatës botërore kundër dhunës me bazë gjinore

Organizatat e OKB-së në Shqipëri në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale çelin fushatën kombëtare të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Në një njoftim për shtyp, zyra e OKB-së në Tiranë, bën të ditur se, në datën 21 nëntor në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore u lançua tema e fushatës “Orange the World: #HearMeToo” (Bëje botën portokalli: #MeDegjodheMua).
Kjo është një thirrje për t’i dëgjuar dhe besuar të mbijetuarat, për t’i dhënë fund kulturës së të heshturit dhe për t’i vënë ato në qendër të reagimit. Fokusi duhet të zhvendoset nga vënia në pikëpyetje e besueshmërisë së viktimës, te vënia e abuzuesit përpara llogaridhënies.
Po në këtë ditë Ministrja e Ministrja e e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prezantoi Modelin e Qendrës së Menaxhimit të Krizës, për Rastet e Dhunës Seksuale, që do të ngrihet së shpejti si një investim i qeverisë me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.
Durrësi, Berati, Vlora dhe Roskoveci u ndriçuan sot në ngjyrën portokalli, simbol i fushatës 16- ditore që bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Bashkitë e këtyre qyteteve u angazhuan të përçojnë mesazhin e tolerancës zero për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 24 nëntor ndriçoi godinën në ngjyrë portokalli. Ndërsa Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë mbështetur komunitetin lokal dhe shoqërinë civile në organizimin e aktiviteteve për të vënë në qendër të vëmendjes epideminë e dhunës kundër grave dhe vajzave. Kësaj fushate do t’i bashkohet edhe Banka Botërore me ndriçimin e Kalasë së Gjirokastrës në portokalli.
Ky mobilizim masiv shoqëror, nën petkun portokalli që simbolizon një të ardhme optimiste dhe pa dhunë për gratë dhe vajzat, është pjesë e fushatës ndërkombëtare: UNiTE (Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas). 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një lëvizje shoqërore botërore për të ndërgjegjësuar dhe nxitur veprime konkrete për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në Shqipëri “16 Ditët” nisin si çdo vit më 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe përfshijnë një mori veprimtarish nga individë dhe grupe shoqërore, të cilat bëjnë thirrje për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, citon njoftimi i zyrës së OKB-së në Tiranë. ata

Aktualitet

Archives