“Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se është përcaktuar një afat kohor, konkretisht qershori i vitit 2019 për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Bushati në një konferencë për mediat theksoi se Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE, duke iu referuar takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të BE-së.

“Këshilli i kërkoi KE-së të fillojë pa humbur kohë procesin përgatitor me Shqipërinë duke qenë se ka skicuar qartë rrugën drejt bisedimeve për anëtarësim dhe gjithashtu ka përcaktuar një afat kohor, qershorin e 2019-s për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht kjo është një praktikë e njohur për Bashkimin Evropian i cili edhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi, ka përcaktuar një afat kohor brenda së cilit ndodhi puna përgatitore nga momenti i marrjes së vendimit të Këshillit deri në momentin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati.

Sipas kryediplomatit të Shqipërisë, komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, është shprehur shumë qartë sot, si dhe Presidenca e BE-së në mbështetje të këtij procesi.

“Kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria sidomos nga momenti i marrjes së statusit të vendit kandidat është një kurs reformash impresionues, i cili duhet të thellohet më tej në ditët dhe muajt në vijim”, theksoi më tej ministri Bushati.

Kujtojmë se në prill të këtij viti Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Aktualitet

Archives